Lidhur me lajmin e bërë publik mëngjesin e djeshëm se kolaudimi i makinave do t’i kalojë shtetit ka reaguar edhe zëvendëskryeministri Erjon Braçe.
Kujtojmë se dy muaj pas ardhjes në pushtet të PS, deputeti Erjon Braçe, në atë kohë kryetar i Komisionit të Ekonomisë, u shpreh se nuk do të lejojë që SGS të vazhdojë të operojë në treg, pasi sipas tij, ishte një koncesionar korruptiv dhe pastrim parash për Berishën. Gjithsesi në atë kohë Braçe nuk mundi ta largojë SGS. Por pas kaq vitesh ai tregoi se u tërhoq nga ky aksion, pasi Berisha dhe Meta kërkonin të bënin skandal dhe rrëzonin qeverinë.
Ndërkohë që përmes një postim në “Facebook” ditën e djeshme Braçe tha se me eliminimin e SGS do të zhduket edhe afera korruptive e dyshes Meta-Berisha.
“Kolaudimi tek shteti! Shërbim publik cilësor, në standard dhe më i lirë! Koncesioni Berisha/Meta mbaroi! Edi Rama njoftoi konkluzionin e punës së kryer prej muajsh në ministrinë e Infrastrukturës, DPSHTRR! Ndërkohë procesi ka nisur; SGS po bën dorëzimet e koncesionit. Është një inventar që dëshmon jo vetëm dështimin katastrofik të koncesionit Berisha/Meta, por po të hetohet do dëshmojë një krim të shumëfishtë mbi qytetarët, jetën e pronën e tyre, mjedisin gjithashtu. Aq i madh ishte korrupsioni aty, sa kur unë e kolegu Shalsi provuam në mandatin e parë ta thyenim monopolin e këtij koncesioni me amendim në Kuvend, skena aty mes ministrit të linjës dhe kryetarit të Kuvendit ishte banale, madje desh rrëzoi Qeverinë”, u shpreh Braçe.
Në përfundim ai i siguroi qytetarët se nga viti që vjen do të marrin shërbimin e merituar, ndërsa nuk ka ngurruar të kërkojë hetim të thelluar ndaj SGS.
“Sot, nuk jam i kënaqur që gjithë çfarë thamë në opozitë është provuar! Jo, dua hetim të qartë pas dorëzimit të koncesionit për gjithë çka ndodhur me koncesionarin dhe kontratën, zbatimin e saj. Por betejë është kjo; nuk duhet të dorëzohemi! Interesat politike e private të tilla janë! Shqiptarët duhet të shohin ndryshim, e kërkojnë nga ne! Siç kërkojnë shërbim publik tani, përsëri nga ne e jo nga shtëpia e hajdutëve PD-LSI”, ka shkruan ndër të tjera Braçe.
Diskutime rreth kësaj post