Bashkia e Tiranës do të zhvendosë Kullën e Sahatit! Jo atë origjinale në qendër të kryeqytetit që po muroset, por do të “klonojë” një kullë të re … lodër.
Sipas “Bold News”, bashkia ka zhvilluar një tender me vlerë plot 450 milionë lekë të vjetra për të blerë Kullën e Sahatit dhe Urën e Tabakëve. Të dyja, do të jenë lodra për fëmijë, ndërsa ajo që bie në sy është vlera tejet e madhe për ndërtimin e tyre. Me kaq para mund të bëheshin nga e para këto monumente kulture të mbrojtura nga shteti “vetëm me letra”.
Tenderi është zhvilluar disa ditë më parë dhe, sipas dokumenteve, ka marrë pjesë vetëm një kompani në garë. Normalisht, fituesi “G.A.C” shpk, i ka marrë të gjitha paratë e akorduara nga Bashkia e Tiranës.
Ndërkohë, po në dokumente thuhet se Veliaj ka kërkuar kënde lojërash të personalizuara me imazhe të Qytetit të Tiranës. Do të ndërtohet Kulla e Sahatit, një kullë loje me rrëshqitëse 3 metra, shkallë për ngjitje dhe ballkon të vogël. Mosha e kësaj loje është 5-12 vjeç. Në dokumente thihet se brenda kullës do të jenë 4 platforma të shkallëzuara për ngjitje, veshja e strukturave do të bëhet me dru të stazhionuar pa përdorimin e metaleve të rënda dhe tretësve.
Duket se, me murosjen e Kullës së Sahatit, pas Bashkisë së Tiranës, e cila me ndërtimin e pallatit shumëkatësh do të humbë shkëlqimin, Veliaj ka gjetur mënyrën më “origjinale” që të ruajë identitetin e Tiranës. Por, me këto identitete me jetëgjatësi vetëm disa vjeçare, shumë shpejt Kulla e Sahatit do të jetë vetëm në memorien e banorëve të kryeqytetit. Ndërkohë, krahas Kullës së Sahatit, Veliaj po “klonon” edhe Urën e Tabakëve, për të cilën shpresojmë që në atë vend të mos bëhet ndonjë pallat.
Diskutime rreth kësaj post