Uiskonsi përfundoi rinumërimin e votave të zgjedhjeve presidenciale të dielën, duke konfirmuar fitoren e demokratit Joe Biden ndaj presidentit Donald Trump në një nga shtetet vendimtare. Presidenti Trump ishte zotuar se do të kundërshtonte rezultatin në gjykatë edhe para se të përfundonte rinumërimi.
Qarku Dane ishte qarku i dytë dhe i fundit që përfundoi rinumërimin, duke njoftuar për 45 vota shtesë për zotin Trump. Qarku Miluoki, qarku tjetër i madh dhe me shumicë dërrmuese liberale të shtetit në qendër të një rinumërimi që kishte kërkuar zoti Trump, i njoftoi rezultatet të premten, me 132 vota më shumë për zotin Biden.
Të marra së bashku, të dyja qarqet pothuajse nuk e ndryshuan fare epërsinë e zotit Biden prej rreth 20,600 votash, duke i dhënë fituesit edhe 87 vota të tjera.
“Siç e kemi thënë, rinumërimi thjesht rikonfirmoi fitoren e Joe Bidenit në Uiskonsin,” tha Danielle Melfi, e cila drejtoi fushatën e zotit Biden në Uiskonsin, në një deklaratë për agjencinë Associated Press.
Pa një precedent për përmbysjen e një epërsie aq të madhe sa ajo e zotit Biden, Presidenti Trump pritej gjerësisht t’i drejtohej gjykatës pasi të mbaronte rinumërimi. Fushata e tij sfidoi mijëra fletëvotime të hedhura në mungesë gjatë rinumërimit, dhe madje edhe para se të përfundonte ai, Trump shkruante në Twitter se do të padiste.
“Rinumërimi në Uiskonsin nuk ka të bëjë me gjetjen e gabimeve në numërim, ka të bëjë me gjetjen e njerëzve që kanë votuar në mënyrë të paligjshme dhe ajo padi do të bëhet pas rinumërimit, të hënën ose të martën,” shkroi Trump të shtunën. “Kemi gjetur shumë vota të paligjshme. Na ndiqni!”
Zyrtarët e fushatës së zotit Trump nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të agjencisë AP për komente të dielën.
Afati i fundit për të çertifikuar votimin është e marta. Çertifikimi bëhet nga kryetari demokrat i Komisionit dypartiak Zgjedhor të Uiskonsinit.
Aleanca e Votuesve të Uiskonsinit, një grup konservator, ka hapur tashmë një proces gjyqësor kundër zyrtarëve shtetërorë të zgjedhjeve që kërkojnë të bllokojnë çertifikimin e rezultateve. Padia përfshin shumë nga pretendimet që pritet të bëjë edhe zoti Trump. Avokatët e guvernatorit Tony Evers i kanë kërkuar Gjykatës së Lartë të shtetit të hedhë poshtë padinë. Evers, një demokrat, tha se ankesa është një “përzierje shtrembërimesh ligjore” që përdor keqinterpretime faktike në një përpjekje për t’u hequr të drejtën e votës miliona banorëve të Uiskonsit.
Një padi tjetër e paraqitur gjatë fundjavës nga banori i Uiskonsit, Dean Mueller argumenton se fletët e votimit të hedhura në kuti të posaçme votimi janë të paligjshme dhe nuk duhet të numërohen.
Avokatët e zotit Trump janë ankuar në lidhje me fletëvotimet në mungesë kur votuesit e identifikuan veten si “të izoluar për një kohë të pacaktuar”, duke i lejuar ata të hedhin votën pa treguar një dokument identifikimi; fletëvotimet që kanë një zarf çertifikimi të plotësuar me dy ngjyra të ndryshme boje, që tregon se një punonjës i sondazhit mund të ketë ndihmuar në plotësimin e tij; dhe fletëvotimet në mungesë për të cilat nuk është dikumentuar ndonjë kërkesë, të tilla si fletëvotimet personale në mungesë.
Zyrtarët e zgjedhjeve në të dy qarqet numëruan ato fletëvotime gjatë rinumërimit, por i shënuan ato si prova me kërkesë të fushatës së zotit Trump.
Fushata e Presidentit Trump tashmë ka dështuar në përpjekje të tjera në gjykatë, duke mos pasur prova për mashtrime të përhapura, për të cilat ekspertët gjerësisht pajtohen se nuk ekzistojnë. Sfidat ligjore të zotit Trump kanë dështuar në Arizona, Xhorxha, Miçigan, Nevada dhe Pensilvani./VOA
Diskutime rreth kësaj post