Në 25 prill, përveç partive tradicionale, përpara zgjedhësve do të provojnë veten dhe disa subjekte të reja. Ato vijnë më së shumti nga gjiri i Partisë Demokratike, pas përplasjeve apo hatërmbetjeve të disa figurave me Lulzim Bashën.
Por, sa ju besojnë qytetarët? Ky është skaneri i një shkodrani që është rritur pranë familjes së Jozefina Topallit.
“Absolutisht nuk jam dakord. Ajo është ajka e PD, jo më të largohej nga partia në këto momente të vështira. Astrit Patozi, prapë. E bija e Azem Hajdarit i vuri shqelmit babait të vet, gjakut të babait të vet. Murrizi? Kaq vjet në pushtet, deputet. Çfarë duan më këta?”
“Unë do ta them troç, edhe partitë e vjetra edhe ato të rejat, unë nuk i besoj fare sepse ata luftojnë për veten e tyre, sesa për ne popullin,” thotë një tjetër qytetar.
Mosbesimi është i lartë për ata që shohin pas qëllimeve.
“Këto parti nga dolën? Ishin me PD, u përçanë. Ishin me socialistët, u përçanë, gjithsecili mendon për vete.”
Votuesit nuk harrojnë të kujtojnë si kanë përfunduar ata që më parë kanë eksperimentuar me parti përpara zgjedhjeve.
“E formoi Bamir Topi, çfarë fitoi?Asgjë! E formoi Ben Blushi me Mimoza Hafizin, çfarë fitoi? Asgjë!’
Duhen edhe 5 muaj për t’u konfirmuar nëse dyshimet e këtyre qytetarëve janë të drejta, apo garuesit e rinj, do t’i zhgënjejnë të gjithë, duke përmbysur skenën politike.
Diskutime rreth kësaj post