Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi në një intervistë për emisionin ‘Ditari’ nuk përjashtoi një bashkim me partinë e ish-nënkryetares demokrate, Jozefina Topalli, kur tha se ka ngjashmëri 99% me atë çka mendojnë për Shqipërinë e së nesërmes. Ai ftoi të bashkohen të gjithë ata që ndajnë këtë kauzë, përfshirë edhe Nismën Thurje kur të zyrtarizohet.
“Kam marrëdhënie shumë të mirë dhe korrekte me Topallin. Nuancat tona nuk janë asgjë para kauzës që na bashkon. Kam vënë re ngjashmëri gati 99% për atë që ne mendojmë për Shqipërinë e së nesërmes dhe kjo është kryesore. Por nuk është thjesht marrëdhënia ime me Topallin, pasi ne presim edhe aktorë të tjerë politikë që t’i bashkohen, pa qenë e nevojshme të bëhen kryetarë partie, ndryshimi në politikë nuk arrihet mes fjalëve, por me akte e gjeste. Në këtë front janë të ftuar të gjithë ata që kanë të njëjtën kauzë. Në rastin që do bëhen, ne do të kemi një raport të ri me ta (i referohet Nismës Thurje). Kushdo që ka diçka për të thënë është i ftuar që të jemi bashkë”, tha Patozi.
Akuzave të opozitës se partia e tij apo e Topallit po favorizojnë Ramën, Patozi iu përgjigjet se opozita nuk është pronë, por mision. Sipas tij, rrotacioni është i pamjaftueshëm, pasi Shqipëria ka nevojë për ndryshim. Dhe në këtë pikë ai thotë se qeveria duhet rrëzuar jo për menaxhimin e tërmetit apo pandemisë, por sepse është e korruptuar.
“Rrotacioni nuk i duhet askujt se është i pamjaftueshëm, Shqipëria ka nevojë për ndryshim. Është gabim ta lidhësh rrëzimin e qeverisë me fatkeqësitë natyrore. Unë nuk do të doja të merrja asnjë votë qoftë dhe votën time, nëse do kisha për bazë politikën me morgun e Tiranës apo të vdekurit e covid-it. Është gabim kjo lloj qasjeje. Kjo qeveri duhet rrëzuar, jo si ka trajtuar tërmetin apo pandeminë, se për këto është gati qeveri normale, por kjo qeveri për fatin tonë të keq është e korruptuar, arrogante dhe ka një mijë afera të tjera. Këto janë gjërat që duhet të diktonin opozitarizmin në Shqipëri. Të merresh me tërmetin dhe covid-in, ku ka një lloj arritjeje, do të thotë ta ndihmosh këtë qeveri. Kryeministri i ka mbushur ditët dhe duhet të largohet. Kemi parë prova e fakte që kjo qeveri nuk mendon për qytetarët”.
Me Bashën thotë se ndahet konceptualisht për opozitarizmin dhe thotë se nuk ka asgjë personale.
“Unë s’kam asgjë personale me Bashën, as me Ramën. Me Bashën kemi qenë në një shtëpi, vëllezër në politikë për një kohë të gjatë. Ajo që më ndan është koncepti për opozitarizmin, ai ruan stanjacionin dhe pret që t’i vijë radha dhe unë këtë nuk e pranoj”.
Për Patozin, Shqipëria duhet të shpëtojë nga 3 partitë kryesore, ndërsa akuzon Ramën, Bashën dhe Metën se mbajnë në këmbë kryetarokracinë.
“Shqipëria duhet të shpëtojë nga kryetarokracia. Rama, Basha e Meta e mbajnë në këmbë kryetarokracinë. Ne jemi të vetmit që mund t’i japim një shpresë Shqipërisë që nëse e lëmë në dorë të partive kryesore, nuk ia vlen më që të rrish në Shqipëri, dhe jo më të kesh shpresë për ndryshim të mirë”., tha Patozi.
Diskutime rreth kësaj post