Aleati i njohur i Donald Trump e ka nxitur atë të heqë dorë nga përpjekjet për të përmbysur humbjen e tij ndaj Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të SHBA.
Ish Guvernatori i New Jersey, Chris Christie e quajti ekipin ligjor të presidentit një “siklet kombëtar”.
Duke folur për programin This Week të ABC të dielën, Christie, tha: “Sinqerisht, sjellja e ekipit ligjor të presidentit ka qenë një siklet kombëtar”.
Ai shtoi se ekipi Trump po diskutonte shpesh për mashtrime zgjedhore “jashtë sallës së gjyqit, por kur ata hyjnë brenda sallës së gjyqit nuk pretendojnë mashtrim dhe nuk argumentojnë një gjë të tillë”.
“Unë kam qenë një mbështetës i presidentit. Votova për të dy herë. Por zgjedhjet kanë pasoja dhe ne nuk mund të vazhdojmë të veprojmë sikur të ketë ndodhur diçka këtu që nuk ka ndodhur”, deklaroi ai.
Presidenti Trump ka refuzuar të pranojë zgjedhjet, ndërsa ka pretendime për mashtrim të gjerë zgjedhor.
Shumë republikanë kanë mbështetur përpjekjet e tij ligjore, mirëpo po vjen duke u rritur numri i atyre që i kërkojnë të pranojë rezultatin.
Votimi në zgjedhjet e SHBA përfundoi në 3 nëntor. Biden parashikohet të mundë Presidentin Trump me 306 vota pro ndaj 232 kur kolegji elektoral i SHBA mblidhet për të konfirmuar zyrtarisht fituesin në 14 dhjetor.
Diskutime rreth kësaj post