Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi u ndal dje në Shkodër, ndërsa ka bërë një mbledhje me të rinjtë e këtij qyteti.
Gjatë fjalës së saj, Kryemadhi u shpreh se Edi Rama po e vret dhe po e shtrydh rininë e vendit, ndërsa e akuzoi se e ka mbytur këtë popull edhe me taksa si dhe pandeminë e Covid-19 nuk po e menaxhon si duhet, duke lënë shumë persona sipas saj, në shtratet e tyre pa asnjë ndihmë. Kështu që për të gjitha këto, Kryemadhi iu bëri thirrje qytetarëve që të votojnë LSI-në, pasi ajo është socialiste, ndërkohë që shtoi se Rama e ka shkatërruar Partinë Socialiste dhe e ka kthyer në një sekt të tijin personal.
“E kemi ne sepse mbyllëm sytë ku u ngritën taksat, kur u ngrit çmimi i energjisë, kur u rritën gjobat, kur Rama dhe Rilindja shkatërroi të ardhmen e shqiptarëve. Edi Rama ua ka marrë frymën të gjithëve me taksat Rama, me pandeminë, me tërmetin, me gjobat. Por ka një zgjidhje, një shpëtim. Nuk jam unë, nuk është LSI-ja, por jeni ju që do të ktheni sytë dhe dritën tek familja juaj, tek shkolla juaj, tek profesorët tuaj. E tha pak më parë Klismani, që kjo maskë gjobitesh me 4 ditë pune, për ata që janë në punë se për ata që nuk janë në punë nuk kanë çtë paguajnë. Edi Rama e shkatërroi PS-në dhe e ktheu partinë në një sekt. Unë jam socialiste në thelb dhe kur e dëgjon dikush këtë në Shkodër, shikon me ilaritet. Socialist do të thotë njeri që të jep dorën, që bashkëpunon në komunitet e jo totalitarizëm. Që të kurohet sot një pacient nga Covidi i duhen mbi 1 milion lekë, për 1 rrogë minimale i duhen 5 muaj për të paguar shërimin e një të sëmuri. Kam takuar socialistë edhe këtu në Shkodër shumë. Ata më thonë se Edi Rama na ka braktisur. Tash që ky mori gjithë tepsinë me timon nuk po ndaloka, është bërë si vampir që po na pi gjakun. E këtë kur e thotë një socialist”, deklaroi ajo.
Ndërkohë nga Shkodra kryetarja e LSI-së që më parë ishte kategorike ndaj mbajtjes së maskës deklaroi se do t’i pëlqente të mbante një maskë, por të kuqe dhe me logo LSI. Sipas saj, një maskë e tillë do tërbonte Ramën. Kryemadhi tha se ai nuk e do ngjyrën e kuqe, ndaj edhe ia ndryshoi edhe PS-së ngjyrën.
“Kjo maskë nuk të mbron nga pandemia, por mbulon dhimbjen që ka pushtuar këtë vend. Unë do ta mbaja me kënaqësi maskën me LSI me ngjyrën e kuqe. Edi Ramës nuk i pëlqen ngjyra e kuqe, nuk i pëlqen ngjyra e flamurit. Edi Rama ndryshoi edhe ngjyrën flamurit të PS-së, nga e kuqe në mavi. Mua më pëlqen ngjyra e kuqe sepse është ngjyra e dashurisë është ngjyra e trëndafilave dhe në Shkodër janë në çdo oborr shkodran”, nënvizoi Kryemadhi.
Diskutime rreth kësaj post