Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi gjatë një takimi elektoral në njësinë nr. 1 në Tirana tha se shumë socialistë i ankohen ngaqë kryeministri Edi Rama bën vetëm premtime dhe nuk ka vepra.
“Edhe unë kam qenë socialiste, jam socialiste në bindje në mendime në ideologji, jo me PS. Socialiste do të thotë të ndash fuqinë dhe energjinë, pozitivitetin me miqtë e me shokët, me qytetarët, sepse kjo do të thotë të jesh në solidaritet me të tjerët. Shumë si ty Etion marrin vendimin të ndërpresin lidhjen me PS, të ndërpresin marrëdhënien, në fakt një marrëdhënie që nuk ekziston. Unë e mora mundimin dhe vendimin për të qenë socialiste e lirë. Rama nuk i ofron shpresë asnjë shqiptari, ndaj LSI e ka derën e hapur për të gjithë. Kur takoj socialistët që ndonjëherë iu vjen dhe zor, më thonë; Monika kemi dëgjuar vetëm premtime dhe projekte 3D”.
Ndër të tjera kryetarja e LSI zbuloi një bisedë me djalin e saj dhe mësimin që ajo tha se mori prej tij.
“Po diskutoja me djalin tim për fjalën heronj dhe patriotë, për brezin e ri. Patriot i thashë unë do të thotë të duash vendin, ai më tha jo; unë e shikoj këtë atdhedashuri, patriot është ai burrë apo grua që mbron popullin përballë qeverive të saj. Në fakt djali im më dha një mësim shumë të mirë. Të mbrojmë sot popullin nga qeveria është patriotizëm. I thashë faleminderit Besar, je shumë i vogël për të më dhënë leksione, por më dhe një leksion shumë të mirë”, tha ajo.
Diskutime rreth kësaj post