Qeveria Shqiptare ka financuar rikonstruksionin total dhe brenda të gjitha standardeve të rrugës Elbasan-Labinot Mal, 16 km, me një fond prej 3.5 miliard lekë.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe kryetari i Bashkisë Gledian Llatja inspektuan nga afër punimet, ndërsa shprehën bindjen në zhvillimin e kësaj zone, pas ndërtimit të rrugës.
“Ka nisur puna për investimin në një nga rrugët më të rëndësishme rurale të Elbasanit, siç është rruga në Labinot Mal. Është një rrugë prej 16 km e cila do të garantojë të gjitha standardet e nevojshme. Projekti i Bashkisë së Elbasanit u financua nga Qeveria Shqiptare në një shumë prej 3.5 miliard lekë.
Kjo rrugë u shërben disa mijëra banorëve të kësaj zone, një nga njësitë më të mëdha administrative të Elbasanit. Qëllimi ynë është ta rivitalizojmë këtë zonë, t’i japim zhvillimin e nevojshëm edhe përsa i përket agroturizmit”, deklaroi Balla.
Për kryebashkiakun Llatja, ky është një premtim i mbajtur i qeverisë shqiptare që u vjen në ndihmë më shumë se 15 mijë banorëve.
“Ka qenë një kërkesë e kahershme e banorëve të njësisë Labinot Mal. Janë më shumë se 3 mijë banorë që jetojnë në këtë zonë dhe 15 mijë banorë të tjerë që jetojnë në qytet, por vazhdojnë të punojnë dhe zhvillojnë pronat e tyre këtu.
Është një investim i Qeverisë Shqiptare për t’u ardhur në ndihmë këtyre banorëve, jo vetëm për rrugën, por për t’i afruar më shumë me qytetin dhe shërbimet”, tha Llatja.
Diskutime rreth kësaj post