Vijojnë replikat mes kreut demokrat Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama. Kryeministri Edi Rama me anë të një postimi është treguar i ashpër me opozitën, pasi shkruan se është një opozitë që nuk i duhet këtij vendi.
“Një opozitë që as në një sëmundje që bie një herë në shekull nuk gjen dot forcë të bëhet bashkë me shumicën nuk i duhet as dreqit e jo më popullit shqiptar”, shkruan Rama.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video ku tregonte pamjet e Covid 2 me shtretër të lirë duke hedhur poshtë akuzat e opozitës.
“Dhe duan s’duan lehaqeniet e çakërdisura të opozitarizmit vulgar, agresiv, gënjeshtar, realiteti brenda spitaleve Covid është pa pikë dyshimi ai që keni parë këtu, e duke ju ftuar të shihni Pjesën e Tretë të ekskluzives, nga spitali Covid 2, në Sanatoriumin e Tiranës, ju uroj një ditë të mbarë”, u shpreh Rama.
Pas videos ka reaguar menjëherë kreu demokrat Lulzim Basha, i cili vijon të akuzojë se kryeministri sipas tij ka humbur kontrollin mbi pandeminë. “Ja çfarë thonë familjarët e të sëmurëve. Faktet flasin vetë dhe tregojnë të vërtetën ashtu siç është. Pasi shkatërroi ekonominë, Rama e humbi kontrollin ndaj pandemisë dhe po shkatërron jetët dhe shëndetin e familjeve shqiptare”, u shpreh Basha.
Ai përsërit të njëjtat akuza, duke i thënë se është një dështim i madh. Kreu demokrati vijoi duke thënë se nëse Rama do ta kishte dëgjuar para 6 muajsh sot do të kishe një plan real kundër pandemisë. “Rama je një dështim i madh. Sa shqiptarë duhet të vdesin që të ndalësh sulmet politike dhe përpjekjet për të na mbyllur gojën? Po të më kishe dëgjuar që para 6 muajsh, do t’ju kishe dhënë ndihmë financiare familjeve shqiptare dhe sot do të kishe një plan real kundër pandemisë”, tha ai.
Kreu demokrat u shpreh se shëndetësia në vend është në kolaps, ndërsa vijoi më tej duke thënë se me ardhjen e tij në pushtet në Shqipëri do të vijë një shpresë e re. “Askush nuk e përtyp propagandën tënde fallco. Shëndetësia është në kolaps, të sëmurët nuk kanë pará për të blerë barnat e shtrenjtuara dhe ekonomia është në krizë. Ne do ta shërojmë Shqipërinë, do t’i korrigjojmë dështimet e tua dhe do të sjellim shpresë të re për njerëzit”, shkruan Basha.
Diskutime rreth kësaj post