Rigerta Loku ka njoftuar se do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme. Ditën e sotme, Rigerta ishte e ftuar në emisionin “Shqipëria Live” ku zbuloi se me cilën parti do të bashkohej. Ajo rrëfeu se do të jetë krah Rudina Hajdarit, pasi gjithmonë e ka pëlqyer politikën që bën.
“Rudinën e shikoj si një vajzë të re, të shkolluar. Qëndrimet e saj politike më kanë pëlqyer shumë gjithmonë. Çdo gjë është në dorën e elektoralit shqiptar. Unë e di se është më e lehtë për të marrë vota nga partitë e mëdha, por unë dua votën e sinqertë që nuk është e shantazhuar”, – tha Rigerta.
Ndërkohë e pyetur se pse sot, pas 3-vitesh mori këtë vendim, ajo tha se është “3 vjet më e madhe dhe më e përgjegjshme”.
“Sot jam 38 vjeç dhe mendoj se sot ka ardhur momenti. Jam e sigurt se nuk do të bëj ndonjë bum të madh, por dua të jap kontributin tim në vendin tim. Jam 3 vjet më e pjekur. Dua një votë ndryshe, më të sinqertë. Mirditorët e mi më kërkojnë që unë të bëhem zëri i tyre, nuk e them për krenari, por me shumë modesti. Të jem zëri i veriorëve të mi, malësorëve të mi”, – shtoi ajo.
Dy moderatorët e njohur e pyetën nëse ka patur oferta nga partitë e mëdha, e Loku tha që jo, vetëm nga partitë e vogla.
“Partitë e mëdha s’më kanë ofruar asgjë, ndërsa partitë e vogla kanë dashur që unë të jem pjesë e tyre. Unë mendoj se mund të marr votat për të hyrë në Parlament. Nuk jam një produkt politik, por real. Nuk i sjell asnjë vend pune askujt, por do të shkoj në atë foltore nëse populli do, që unë të dërgoj zërin e tyre atje. Nëse do të bëhem deputete, unë do të jetoj aty ku jetoj tani, pranë njerëzve të mi”, – vijoi ajo.
Ndërkohë tha se nëse nuk arrin që të bëhet deputete, më pas do të kandidojë për kryetare Bashkie në Mirditë.
Diskutime rreth kësaj post