Paralajmërimi i Jozefina Topallit se do dalë me një lëvizje të re nuk është pritur mirë nga ana e Partisë Demokratike. Të mërkurën ish-kryeparlamentarja do të japë detajet e lëvizjes, ndërsa dje ishte kryedemokrati, Lulzim Basha çoi mesazhe të koduara ndaj deklaratës së Topallit.
Përmes një dalje publike Basha deklaroi se veprimet e Topallit dhe të tjerëve kërkojnë të mbajnë Ramën në pushtet. Sakaq mes ironie ai tha se kushdo që përpiqet të mbajë në krye qeverinë “Rama”, duke vënë theksin tek ish-anëtarët e PD, do të largohet nga politika bashkë me Ramën nga vetë shqiptarët.
“Nuk paragjykoj dhe nuk dua të paragjykoj asnjë që është në opozitë me Edi Ramën. Çdokush që bën të kundërtën, pavarësisht si apo sa mundohet ta fshehë, e kanë të pamundur ta fshehin sepse qytetarët e kuptojnë dhe nuk janë budallenj. Ftesa ime ka qenë dhe mbetet për këdo. Aq më tepër për individë brenda PD që kanë patur një jetë politike dhe kanë patur vlerësimin e demokratëve. Kush ndihmon për largimin e Edi Ramës, është i mirëpritur. Kush përpiqet me apo pa maskë të zgjasë qoftë për një orë largimin e Edi Ramës, shqiptarët do t’u japin përgjigje”, – deklaroi ai.
Pas një procesi të gjatë votimi nga baza e PD dhe verifikimi nga Komisioni i Posaçëm i Vlerësimit të Kandidaturave u lanë jashtë listës 13 ish-deputetë, mes të cilëve: Ervin Salianji, Endri Hasa e Luan Baçi, por edhe Tritan Shehu. Ky përjashtim krijoi pakënaqësi në radhët e të larguarve, të cilët deklaruan se nuk e njohin vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Kandidaturave, ndërsa nga ana e tij kryedemokrati lë të hapur mundësinë e rikthimit të tyre në lista. I pyetur për këtë çështje Basha tha dje se, vendimi i Komisionit do të shqyrtohet nga organet më të larta të PD, Kryesia dhe Këshilli Kombëtar, deri më një vendim përfundimtar.
“Raporti i Komisionit do të shqyrtohet nga organet vendimmarrëse që janë Kryesia dhe Këshilli Kombëtar. Anëtarësia ka folur dhe organet vendimmarrëse bazuar mbi të gjithë këto vendime dhe propozime, pasi të shqyrtojnë raportin, do të marrin vendimet përfundimtare”, – u shpreh Basha.
Akuzat ndaj qeverisë
Nga ana tjetër kryedemokrati nuk i ka kursyer as akuzat e tij kundër qeverisë, duke filluar nga inceneratorët, vjedhja e taksave dhe mangësitë në buxhetin 2021, që sipas tij tregon hapur që është një plan për të vjedhur dhe jo për të rritur mirëqenien sociale dhe ekonomike. Akuzat për inceneratorët tashmë janë bërë të përditshme, dje Lulzim Basha ka përsëritur thirrjen e tij ndaj SPAK. Kryedemokrati i kërkon këtij institucioni që të luajë rolin e tij dhe të mos mbajë anën e qeverisë. Ndërsa deklaroi se korrupsioni në këtë çështje është shumë i dukshëm, kërkoi edhe njëherë SPAK të veprojë para se qeveria të vjedhë çdo para të mbledhur nga taksat e shqiptarëve.
“Nuk mjaftojnë deklaratat dhe hapat e breshkës sepse çdo ditë që ju nuk veproni, nuk merrni të pandehur ata që vazhdojnë të marrin milionat e shqiptarëve në kohë pandemie, ju po inkurajoni vjedhjen. Ju duhet të shkurajoni vjedhjen. Filloni merrini në pyetje, thërritini në SPAK. Korrupsioni është ashiqare, vjedhja është ashiqare. E vetmja arsye pse vazhdojnë të livadhisin është mosveprimi juaj. Provat i keni. Çfarë prisni? Do të jetë shumë vonë nëse kjo bandë e strukturuar kriminale deri ditën e fundit vazhdon të përgjakë buxhetin, të marrë paratë e shqiptarëve dhe t’i zhdukë në parajsa fiskale. Keni detyrimin të veproni sot”, – u shpreh ai.
Sakaq Basha tha se Rama vetëm po bën propagandë me premtimet që jep, pasi nga ana tjetër po vjedh shqiptarët dhe po e zhyt vendin në borxhe.
“Borxhet rriten vit pas viti, i merr Edi Rama në kurriz të prindërve dhe taksapaguesve shqiptarë. Nuk ka vend në Europë që shpenzon siç shpenzon Edi Rama. Edi Rama është i vendosur t’i shkojë kësaj deri në fund, derisa të takohet me fundin e tij politik. Deri atëherë do të vazhdojë me propagandë, me vjedhje. Është e tmerrshme, e patolerueshme që paratë e shqiptarëve të vidhen”, – theksoi kryedemokrati.
Diskutime rreth kësaj post