Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani përmes një postimi në rrjetet sociale e ka quajtur dështim suksesin që po trumbetohet për krijimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Manjanit, kjo gjykatë është e paplotë dhe nuk mund të marrë asnjë vendim me 6 anëtarët e saj, pasi duhet të ketë të paktën 9 anëtar.
Postimi i plotë:
“Edhe njëherë, përpjekja për të na shitur si sukses të radhës krijimin e Gjykatës Kushtetuese me 6 anëtarë, është një vrimë në ujë.
Hiçgjë është!
Hi për t’ia hedhur syve publikut është.
Gjykata me 6 gjykatës është e paplotë dhe eventualisht po aq JOFUNKSIONALE sa sot.
Ligjërisht që gjykata të marrë një vendim duhet që 5 gjykatës të jenë pro njërës prej alternativave, pranim ose rrëzim të kërkesës.
Përbërja prej 9 anëtarësh e mundëson në 100% të rasteve sigurimin e 5 votave për një vendim. Ligji nuk lejon asnjë alternativë tjetër për gjykatësit, përveç se të jenë pro ose kundër kërkesës. Pra nuk ka absetim.
Ndërsa në përbërjen e cunguar me 6 gjykatës, shancet që vendimmarrja të ndahet 3 me 3, ose edhe 4 me 2 janë të larta. Aq më tepër që 6 anëtarët që priten të zgjidhen, janë të preferuarit e Parlamentit (Edi Ramës) dhe Presidentit (Ilir Metës).
Pra me iluzionin se kemi gjykatë, kushdo mund të çojë kërkesë, por gjykata ska numra për të marrë një vendim.
Jo thjesht kohë e humbur, por pasiguri me të drejtën e pretenduar. Askush nuk e di çfarë ndodh pas këtij dështimi, nga gjykata.
As 4 vota nuk mjaftojnë për vendin. Duhen 5. Dhe 5 vota sigurohen plotësisht në përbërjen e plotë të gjykatës. Në përbërje të cunguar kjo nuk garantohet.
Ndërkohë ligji është i heshtur në këtë pikë. Pra çfarë ndodh me kërkesën që u gjykua nga gjykata me 6 anëtarë por nuk u bënë 5 vota as për ta pranuar e as për ta rrëzuar!!!
Ka praktikë të gjykatës së mëparshme, por ende jo të konsoliduar qartë. Kjo është pasiguria!
Pra ku jemi?
Hiç gjëkundi!
Ndaj Gjykata Kushtetuese quhet e ngritur vetëm kur të plotësohet me 9 anëtarë sipas Kushtetutës. Rikujtesë: 3 i zgjedh Parlamenti, 3 Presidenti, 3 Gjykata e Lartë.
Kjo e fundit mungon për vete…
Përfundimisht kush duartroket krijimin e një gjykate të cunguar është i verbuar nga hiri që i kanë hedhur syve.
Ky arsyetim vlen edhe për “hirin” e republikës së (super) ambasadorëve të akredituar këtu.
#thanksbutNOthanks” – shkruan Manjani.
Diskutime rreth kësaj post