Rama shpalli së fundi ndërtimin e porteve turistike në tre qytete bregdetare shqiptare, në funksion të një vizioni mbi domosdoshmërinë e një mandati të tretë, e kjo për arsye të veprave të mëdha infrastrukturore përpara.
“Së shpejti do nisim transformimin e madh të Durrësit të spostojmë portin ekzistues që e ka mbaruar prej kohësh misionin e tij si një port komercial mallrash në mes të qytetit që është një infrastrukturë e dalë kohe prej kohësh me standarte mjedisore shumë të ulëta, për të mos thënë zero e pengon në mënyrë gjithmonë e më shqetësuese hedhjen e një hapi në një epokë tjetër, është një infrastrukturë me potencial të jashtëzakonshëm sa i përket turizmit.
Po kështu do bëjmë dhe me Vlorën porti ekzistues është infrastrukturë arkeologjike në aspektin e standartit, shërbimeve dhe impaktit negativ që ka në zonën e bregdetit që prek drejtpërdrejt qytetin.
Vizioni i zhvillimit të mëtejshëm me pjesën 3 të Lungomares përfshin dhe një port turistik, për të krijuar një kanal të ri kontakti me Vlorën, sikundër Durrësin. Dhe për Vlorën jemi gati për një proces ku do mund të sistemojmë me standarte bashkëkohore portin e shërbimeve.
Në pak javë do mund edhe të fillojmë të japim gjithë autorizimet për fillimin e portit të tretë, që do jetë i pari që do nisë turistik, në Sarandë, për të cilin kemi marrë një propozim fantastik e që ndryshon aty paradigmën e zhvillimit të Sarandës”, theksoi Rama në një konferencë për shtyp.
Ai tha se për këto vepra, por më shumë për areoportin e Vlorës, gdhihet e ngryset duke komunikuar me ministren e linjës (nënkupto: Ballukun).
“Dita ime nis në mëngjes me telefonatën me ministren dhe e mbyll ditën me një telefonatë me ministren në darkë për aeroportin e Vlorës, për të cilën u ndërpre për shkak të pandemisë, me të mbyllur procesin e Vlorës në jemi gati të lancojmë procesin për aeroportin e Sarandës, ku ne jemi gati për të filluar, aeroporti i Sarandës është më i vogël dhe është një strategji për turizmin.
Me katër aeroporte ne hyjmë në një epokë të re të aviacionit, por edhe që do të jetë edhe diçka më e mirë në raport turistik”, theksoi i pari i qeverisë.
Rama tha se këto punë nuk bëhen për vota, pasi në gjykimin e tij, zgjedhjet i fitojnë edhe këtë të dielë po të zhvillohen.
“Projektet që ne flasim nuk janë asfalt elektoral, siç bëhen në të shkuarën, por vepra që nuk fillojnë në momentin kur fillojnë gërmimet, por kur nisin projektimet dhe për këto vepra, projektimet kanë nisur prej kohësh”, theksoi i pari i qeverisë.
Diskutime rreth kësaj post