Pavarësisht se vendi gjendet në krizën më të rëndë në mbi dy dekada për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri, qeveria shqiptare ka planifikuar miliarda lekë taksa shtesë për shqiptarët, kryesisht të vetëpunësuarit e biznesit të vogël.
Qeveria shqiptare miratoi projektbuxhetin e vitit 2021 duke parashikuar një rritje të të ardhurave në masën 7.3% në krahasim me planin e vitit aktual në një kohë kur rritja ekonomike nominale pritet të jetë 6.4% dhe ajo reale, 5.5%. Rritja më e shpejtë e të ardhurave të qeverisë në krahasim me rritjen ekonomike, pritet të mbështetet, sipas relacionit të publikuar nga Ministria e Financave, në “administrimin më të mirë fiskal” si dhe në rritjen e taksave.
Sipas relacionit, rritja e pagës minimale nga 26 mijë në 30 mijë lekë, pritet t’i japë buxhetit të shtetit 3 miliardë lekë (25 milionë euro) të ardhura më shumë. Emërtimi pagë minimale nënkupton ekzistencën e një politike sociale, në të cilën, punëdhënësi detyrohet të paguajë një pagë minimale punëmarrësin pavarësisht eficiencës së tij në punë. Por realiteti ekonomik në Shqipëri e ka transformuar pagën minimale në një taksim afrofe të një numri të konsiderueshëm taksapaguesish, kryesisht të vetëpunësuarit në biznes të vogël si dhe ata që kanë paga më të larta se sa paga maksimale e sigurimeve shoqërore.
Në Shqipëri aktualisht ka rreth 100 mijë të vetëpunësuar, të cilët paguajnë sigurime shoqërore e shëndetësore mbi këtë pagë minimale, e cila, kur rritet, nuk u sjell të ardhura reale më të larta të vetëpunësuarve, por u sjell rritje të barrës fiskale. Për pjesën tjetër të të punësuarve kjo rritje e pagës minimale nuk ka shumë efekt as në të ardhura dhe as në taksim. Dhe Ministria e Financave nuk e fsheh në relacion që kjo bamirësi që shteti po u bën të vetëpunësuarve, do t’i japë qeverisë 25 milionë euro të ardhura shtesë.
Një pjesë e të ardhurave argumentohet se do të vijë nga përmirësimi i administrimit fiskal që do të realizohet nga sistemi i ri informatik që do të zbatohet me faza gjatë vitit të ardhshëm. Ky sistem, i cili i ka kushtuar taksapaguesve rreth 15 milionë euro në një tender kontrovers që zhvilluar në vitin 2018 dhe që përfundoi me rezultat 99.75% të fondit limit, pritet t’i kushtojë biznesit disa qindra euro shtesë gjatë vitit të ardhshëm në formën e pajisjeve elektronike dhe programeve të licencuara nga qeveria. Qeveria planifikon të ardhura shtesë për buxhetin nga zbatimi i këtij programi, pa vlerësuar se sa kosto shtesë do të kenë taksapaguesit për plotësimin e kritereve të raportimit fiskal.
Qeveria ka në plan gjithashtu që të bëjë gjatë vitit të ardhshëm rritje pagash për sektorin e shëndetësisë dhe atë të arsimit, gjë që do të jetë pjesë e një rritjeje masive të shpenzimeve operative të qeverisë në masën 21 miliardë lekë ose 170 milionë euro.
Rënia masive e ekonomisë gjatë këtij viti dhe rritja e shpejtë e deficitit buxhetit pritet të bëjë që borxhi publik të arrijë në 81% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në fillim të këtij viti. Siç ka premtuar edhe më parë, qeveria planifikon të reduktojë deficitin buxhetor në katër vitet e ardhshme duke pakësuar edhe borxhin si përqindje e PBB-së, gjë që deri më sot nuk është realizuar.
Diskutime rreth kësaj post