Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka folur lidhur me shpërndarjet e pasaportave shqiptare nga presidenti Ilir Meta për shtetasit e huaj.
Lleshaj tha se e ka ndjekur me shqetësim këtë çështje pasi Ministria e Brendshme është institucioni përgjegjës për të dhënë nënshtetësisë dhe procedura finalizohet me dekretin e presidentit.
Sipas tij, për këtë çështje rezulton të ketë një anomali që duhet sqaruar, pasi volumi i shtetësive të dhëna përmes procedurës së veçantë direkt nga kreu i shtetit është i madh dhe pothuajse i barabartë me numrin e shtetësive të dhëna nga ministria, sipas procedurave normale.
“Si rregull shtetësia kalon nga Ministria e Brendshme dhe finalizohet nga presidenti me dekretin, presidenti është hallka e fundit.
Për këtë çështje kemi komunikim pasi rregullisht ministria përcjell praktika për dekretim, por kjo çështjet e hapura për procedurat e rregullta dhe të mbyllura direkt tek presidenti na ka krijuar një farë shqetësimi. Rezulton që kemi një anomali që duhet sqaruar.
Volumi i shtetësive të dhëna përmes procedurës së veçantë është i madh, është afërsisht sa ai procedurave të dhëna në mënyrë të rregullt. Përjashtimi është barazuar me rregullin në numra.
Kjo e bën disi shqetësuese, po dua t’u inkurajoj ta sqaroni më mirë këtë me presidentin. Ne si ministri nuk kemi tagër t’i kërkojmë llogari presidentit. Po mundohemi ta kuptojmë. Çështja e shtetësisë është përgjegjësi e Ministrisë së Brendshme.
Ligji parashikon që mund të jepen shtetësi edhe me një procedurë më të reduktuar sa i përket kushteve, kur ka një interes kombëtar, një të huaji mund t’i kërkohen më pak kritere, p.sh jo të ketë 5 vjet në Shqipëri. P.sh, një futbollist që i jepet shtetësia për interes kombëtar. Nëse Ronaldo nesër vendos të luajë me Shqipërinë. Kjo është fryma e ligjit.
Ministria jep shtetësinë për çdo qytetar. Duhet një shpjegim për të shpjeguar se pse. Ne si ministri nuk kemi për ta kërkuar se nuk e kemi tagrin për ta bërë këtë verifikim. Një herë janë aktorët publikë, media, ka aktorë politikë që është kuvendi apo edhe struktura të tjera nëse është e nevojshme”, sqaroi ministri për Euro News.
I pyetur lidhur me shqetësimin e lëvizjes së adresave, e denoncuar nga qytetarë të ndryshëm, por nga që nga ana e opozitës u lidh me çështjen e zgjedhjeve, ministri tha se adresat e qytetarëve nuk kanë lidhje me adresën e votimit.
Sipas Lleshajt, standardizimi i adresave është një proces i rëndësishëm i nisur me miratimin e ligjit në vitin 2016, i cili i jep fund kaosit që mbizotëron që nga vitet ‘90, por kjo sipas ministrit nuk prek adresën zgjedhore.
Diskutime rreth kësaj post