Mazhoranca qeverisëse dhe një pjesë e opozitës në Parlament duket se do i shkojnë deri në fund miratimit të Kodit Zgjedhor, pavarësisht kundërshtimeve të PD dhe LSI.
Sot Kuvendi do të mblidhet në një seancë të posaçme plenare dhe pika kryesore e rendit të ditës është miratimi i draftit të diskutuar të premten në Komisionin e Ligjeve. Varianti fillestar i PS pësoi mjaft ndryshime në koalicion, por një gjë mbeti e pandryshuar, pjesa e koalicioneve. Me ndryshimet e reja nuk do të ketë më koalicione parazgjedhore sikundër ishim mësuar deri tani, por vetëm me listë të përbashkëta.
Një tjetër zhvillim sot është dhe miratimi i anëtarëve të KQZ-së, duke mbyllur kështu procesin e reformës zgjedhore. Por zhvillimet e javëve të fundit duket se janë në favor të PD dhe PS, ndërsa LSI dhe shumë parti të tjera rrezikojnë të mbeten jashtë Parlamentit nëse dalin vetëm në zgjedhje. Padyshim më e dëmtuar në këtë mes është LSI, e cila luftoi fort për të mos hequr koalicionet, por nuk gjeti mbështetjen e duhur nga PD. Gazeta po tregon sot 3 lëvizjet e mazhorancës apo dhe ndryshimet në kudër të reformës zgjedhore që godasin partitë e vogla e veçanërisht LSI.
Elementi i parë është heqja e koalicioneve. PD, LSI dhe aleatët kanë vetëm dy rrugë: Ose të hyjnë me listë të përbashkët deputetësh, ose secili më vete dhe zyrtarizojnë koalicionin pas zgjedhjeve. Nëse shkohet me lista të ndara, vetëm LSI mund të hyjë në Parlament, pjesa tjetër mbeten jashtë. Por edhe vetë LSI pëson disfatë të madhe, pasi skema me koalicione favorizon partinë e dytë. Duke hequr koalicionet, kjo parti do jetë në garë jo vetëm me PS, por edhe me PD. Sipas burimeve, Basha është në presion nga aleatët, pasi ata që i kanë qëndruar besnikë presin të futen në lista, pra emra si Mediu, Shehi, Duka apo Dule. Edhe LSI e kërkon këtë gjë, por Kryemadhi synon të fusë mbi 40 emra gjë që Basha nuk e pranon dhe pritet që të shkojnë të ndara në zgjedhje.
Skema me kryetarin
Një ndryshim i rëndësishëm që ndodhi në Komisionin e Ligjeve është se kryetarit të partisë ju dha e drejta të kandidojë në 4 qarqe. Edhe pse kaloi disi në heshtje, ky ndryshim padyshim që favorizon PD dhe PS, ndërsa dobëson LSI. Nëse marrim rastin e Ramës, ai pritet të kandidojë në Vlorë, por do e vendosë emrin dhe në 3 qarqe të tjerë. Sipas skemës së re, votat që shkojnë për kryetarin në këto 3 qarqe numërohen si vota për partinë, çka do të thotë se do të ketë një maksimizim të votave që do mundësojnë futjen në Parlament të emrave që janë renditur fillimisht nga partia. Pra në 25 prill qytetarët do votojnë në dy fletë, te njëra për partinë dhe te tjetra për kandidatin. Kandidimi i kryetarit në 4 qarqe do rrisë votat e PD dhe PS, pasi Basha dhe Rama janë dy figurat kryesore politike në vend, ndërsa LSI nuk është se ka avantazh në këtë mes, pasi Kryemadhi nuk gëzon atë popullaritet.
Skema e KQZ
Ditën e sotme do të miratohen anëtarët e rinj të KQZ, por LSI ka marrë një goditje të fortë nga PD dhe PS. Sipas emrave të propozuar, kryetarin do e ketë PS, nënkryetarin PD. Sa i takon anëtarëve të Komisionit Rregullator, ai do të ketë 5 anëtarë dhe ata janë: Ilirjana Nano, Dritan Çaka dhe Arens Çela nga PS; Muharrem Çakaj nga LSI dhe Helga Vukaj nga PD. Komisioni Rregullator do të jetë shkalla e parë ku do të diskutohen çështjet, sikundër ndodh tani. Por me skemën e re do të ngrihet një shkallë apeli, që quhet, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve. Kushdo që nuk del i kënaqur nga Komisioni Rregullator i drejtohet KAS dhe vendimet e tij janë finale. Por në këtë komision LSI është lënë jashtë. Aty kanë anëtarë vetëm PS me PD. Më konkretisht emrat që do votohen sot janë: Ilirjan Rusmali; Elvin Lako; Koli Bele; Elvis Çefa dhe Ledio Braho. 3 emra janë propozuar nga PS dhe 2 nga PD. Fakti që LSI është jashtë organit më të rëndësishëm të KQZ është një tjetër sinjal se dy paritë e mëdha rrezikojnë të fundosin partinë e presidentit.
Diskutime rreth kësaj post