Përfaqësuesi i PS-së në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri i është përgjigjur deklaratës së Oerd Bylykbashit, i cili tha se Italia ka shembullin e duhur se si duhet vepruar me listat.
Përmes një dalje publike Gjiknuri tha se, akuzat e opozitës janë veç përpjekje e tyre për të bllokuar Kodin Zgjedhor. Sipas tij, çdo herë mazhoranca u ka kërkuar ta tregojnë me fakte se modeli i listave të hapura është kopjuar dhe për këtë gjë opozita ka dështuar.
“Tre muaj rresht në çdo mbledhje të grupit negociator të Këshillit Politik i kërkuam opozitës jashtëparlamentare të na sillte në tryezë qoftë edhe vetëm një shembull të një vendi evropian, anëtar të OSBE-së, që zbaton sistemin proporcional rajonal me lista të hapura dhe me koalicione të përbëra siç ata i dëshironin. Pas 3 muaj kërkimesh të dështuara, përfaqësuesit e opozitës , pak orë përpara seancës parlamentare kur do të shqyrtohen dhe miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor tentojnë të hedhin hi syve të publikut. Deklarojnë se në fund të tunelit kanë “zbuluar” modelin italian. Ata e dinë shumë mirë, por thjesht duan të kryejnë tentativën e fundit të dëshpëruar për të penguar e zvarritur reflektimin e ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor”, deklaroi ai.
Sakaq Gjiknuri ka sqaruar pikat që i bëjnë aq të ndryshme sistemin zgjedhor të Italisë me atë të Shqipërisë. Duke shtuar këtu se në vende të tjera i lejojnë kreut të partisë të kandidojë në më shumë se 3 zona.
“Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, modeli italian është me dy dhoma e miks, pra mazhoritar 1/3 dhe proporcional me lista të mbyllura 2/3 e vendeve. Dukshëm nuk ka lidhje me sistemin që zbaton Shqipëria, proporcionalin rajonal me lista të hapura. Meqenëse kërkesa e opozitës parlamentare, e pranuar nga mazhoranca, për lejimin e vendosjes së kryetarit të partisë apo kryetarit të partisë udhëheqëse të koalicionit në listë njëkohësisht në 4 zona zgjedhore u cilësua antidemokratike dhe duke qenë se opozita jashtëparlamentare ka “zbuluar” pas 3 muajsh modelin italian, i ftoj të lexojnë legjislacionin e vendit fqinj mik për të kuptuar se atje ka raste që u lejohen kandidatëve të garojnë edhe deri në 5 zona”, – shkruan Gjiknuri.
Diskutime rreth kësaj post