Janë disa rastet e vajzave të reja që pavarësisht profesionit, u përfshinë në kinematografinë shqiptare të viteve të komunizmit, pa plan.
Një ndër to ishte edhe Ermira Zyrakja, sot Lefort. Filmi “Eja”, ku Zyrakja pianiste luante me Artur Gorishtin, të dy nxënës të Akademisë së Arteve, u bë një nga kujtimet e saj më të bukura që asokohe nuk e përjetoi edhe aq lehtë. Ermira jeton prej vitesh në Gjenevë të Zvicrës, por si të gjitha koleget e saj, ca më shumë se shqiptarët e tjerë që nuk qenë pjesë e artit, është e lidhur me Shqipërinë, sidomos prej këtyre fijeve që nuk do të ndërpriten asnjëherë. Në intervistën që ka dhënë për “Panorama”, Emira tregon sot gjithë ankthin e lojës, pjesë e së cilës u bë rastësisht, episode të paskuintave dhe ca siklete të prindërve, për ‘skenat e dashurisë’.
Si ndodhi që u bëtë pjesë e filmit “Eja”?
Më kujtohet kur ishim në shtëpinë e një regjisori të mirënjohur të Kinostudios. Kaluam një mbrëmje të bukur në miqësi studentore me muzikë dhe bëmë disa fotografi… Mbas disa kohësh, Pirro Milkani sheh rastësisht fotot tona (të gjithë studentë asokohe). Më shikon dhe mua në foto dhe pyet kush është kjo vajzë? I thonë që është studente për piano. I isha dukur një portret i përshtatshëm për rolin protagonist të filmit të tij të ardhshëm. Plus ekspresivitetit të portretit, siç u pa dhe më vonë, kisha ngjashmëri me aktoren Drita Nikolla, që do luante rolin e nënës sime në filmin artistik “Eja”. Një ditë, Bebi Milkani, bashkëshortja e Piro Milkanit (pedagoge e shquar e pianos në Konservator) vjen e më thotë se më kërkonin të bëja kinoprova për rolin e një filmi. – Unë nuk jam dhe nuk studioj për aktore, – u përgjigja e habitur. Mbasi më tha që ishte një kënaqësi të luaja në një film artistik e duke parë hezitimin tim, shtoi: -Po bëje një herë kinoprovën se nuk është e sigurt nëse do ta marrësh ti rolin kryesor. Pranova për respekt… Plus që akoma nuk kisha biseduar me familjen.
Do të kundërshtonin?
Këtë nuk e dija! Në filmat e fundit e të suksesshëm të Pirro Milkanit, nuk ishte hera e parë që ai u jepte role protagonistësh, të rinjve e personave jo domosdoshmërisht të fakultetit të aktrimit… Mbas kinoprovave, më lajmëruan se isha e përzgjedhur për rolin protagonist të Vjosanës, se kisha ekspresivitetin e duhur e natyrën sa të përmbajtur, por dhe aq të vendosur, siç ishte dhe karakteri i rolit të Vjosanës. Më kërkonin të filloja xhirimet. Kur bisedova në familje, ata nuk ishin dakord, për arsye që do mungoja nga studimet e pianos dhe se xhirimet do bëheshin në 3 qytete të ndryshme Tiranë, Krujë e Librazhd, me javë e muaj… Pastaj, një ditë, erdhën në shtëpi regjisori bashkë me një mik të familjes, që prindërit e mi e donin dhe e respektonin shumë, Vath Koreshin.
Arritën të binden?
Mbasi u bisedua për skenarin me detaje, thuajse arritën të binden, por kishte një episod që i shqetësonte..
Çfarë ishte?
Lidhja e të rinjve të dashuruar në film i shqetësonte. Sado që koha nuk lejonte shumë, ata nuk arrinin të kuptonin sesi dhe sa do të ekspozohesha në këtë lidhje dashurore, tabutë e kohës. Megjithatë, familja ime pranoi të luaja në këtë film. Filluan xhirimet… Sinqerisht, interpretoja natyrshëm në zë, gjestikulacion e lëvizje… Isha thjesht unë domethënë… dhe po të doja, nuk dija të bëja ndryshe. Kujtoj që skena ku duhej të qaja, zgjati shumë kohë, se nuk më vinte të qaja… Kërkoja artifice, nuk pranonin, duhet të qash vërtet më thoshin… Më linin vetëm, ekipi priste e unë prisja lotët duke u futur gjithnjë e më shumë në situatën e vajzës që kishte gjetur nënën në film, por sigurisht u lodha nga pritja. Më vinte keq për gjithë ekipin që priste e lotët më dolën dhe për këtë e dëgjoj kameran që më filmoi mes lotëve e zërit të mekur paksa. Vetëm një sekuencë u bë dhe rezultoi e sukseshme. Ja pra pse regjisori me durimin dhe këmbënguljen e tij, donte xhirime reale.
Filmi rezultoi i suksesshëm në radhë të parë nga tematika speciale që kishte. Flitej për një vajzë të lindur jashtë martese dhe e dërguar në jetimore. Sallat e kinemave në çdo qytet mbusheshin deri në ditët e fundit të planifikuara për këtë film. Kaloja me nxitim para reklamave të filmit “Eja” duke shkuar në universitet, më ndalonin njerës të moshave të ndryshme për të bërë foto me mua sigurisht duhej dhe të spostohesha aty ku ishte fotografi mbas monumentit të Skënderbeut.
Ndërkohë, si e panë prindërit skenën e dashurisë?
Rezultoi që duhej të kishte një afinitet roli mes dy të rinjve të porsanjohur në film, por i pa ekzagjeruar. Regjisori vendosi ta përshkruajë me një shëtitje në park, ku aktori Artur Gorishti, në formë surprize, më mbyllte sytë me duar e pastaj të ulur në stol të parkut më afronte nga vetja, paksa kokë më kokë dhe kaq. Ishte sekuencë e natyrshme, plus dhe faktit që ne ishim bashkëstudentë në Akademinë e Arteve. Nuk pati kërkesa nga ekipi për skena më të avancuara,aq më tepër që në ato vite, shiheshin me “Lupë zmadhuese” nga instancat kontrolluese të shtetit, sidomos këto detaje, kështu që edhe ata u qetësuan.
Ju nuk kishit përvojë në aktrim, si u gjendët në xhirime?
Sigurisht që isha pa përvojë si aktore, por fakti që regjisori Pirro Milkani kishte bërë dhe filma të tjerë me aktorë të zgjedhur me intuitë profesionale dhe sillte risi me angazhimet e reja në kinematografi dhe me aktorë të paformatuar, më krijonte besim, plus mbështetjes së tij dhe ekipit xhirues, kur punonim fragmente skenari për xhirim. Ka pasur detaje që merrnin kohë në vendosje gjatë xhirimit, si fakti që me flokët e mi të gjatë e kaçurrela duhej të më prisnin balluke të shkurtra e unë nuk isha dakord…Duhet për rolin më thanë dhe pranova, edhe pse isha e pakënaqur.
Kishte skena të vështira?
Skenë e vështirë për t’u realizuar nga ana ime ishte kur gjoja duhej të behej një injeksion, në stazhin tim si infermiere në rol. Sa kohë u duhej për të mësuar si mbahej gjilpëra, si vendosej e deri në mbarimin e injeksionit të improvizuar. Të gjitha këto duke interpretuar tekstin e rolit, pa harruar këndvështrimin që duhej të kisha nga kamera. Një tjetër detaj jashtë xhirimeve ndodhi në Krujë…Në restorantin ku do hante drekë ekipi i filmit, unë arrita me vonesë dhe nuk kishte vend në tavolinën ku ishin vendosur ekipi. Ashtu e shpenguar, u ula në një tavoline ku drekonin një grup turistësh të huaj. Ata ishin nga Danimarka dhe filluan të më pyesnin çfarë gjuhe mund të flisnim,(frëngjisht iu përgjigja). Çfarë po bënim në shesh ne si ekip etj., etj. Pashë regjisorin që u ngrit i shqetësuar duke ardhur drejt meje dhe më tha: -“Po këtu e gjete të ulesh e plus të komunikosh me turistë? E mira është të ngrihesh nga ajo tavolinë”. Unë nuk u ngrita dhe i thashë se duhej të mbaroja drekën për të vazhduar xhirimet. Ai u largua duke më thënë që do ia digjja filmin, pa dalë akoma.
Nuk isha e ndërgjegjshme që nuk duhej të flisnim me turistë të huaj, pa leje nga lart e si të mos mjaftonte kjo, biseda vazhdoi, bëmë fotografi bashkë me grupin dhe i ftova dhe në sheshxhirim, por turistët danezë nuk erdhën se si duket kuptuan atmosferën pak me tension që u krijua dhe pse nuk kuptonin shqip. Një detaj ky që kaloi pa sekuenca të rënda për mua, falë simpatisë që kishin për filmin dhe aq më tepër në atë qytet të vogël. Më vonë e kuptova që kisha rrezikuar dhe filmin dhe veten me atë bisedë me të huajt, që shteti në ato vite e ndalonte pa autorizim. Kishte një atmosferë miqësie e besimi që u krijua tek unë nga ekipi, edhe pse nuk isha pjesë e Kinostudios si aktorët e tjerë deri në faktin e pagesës që merrnim sipas roleve. Një moment, dikush nga teknikët, që lodhej shumë si të tjerët, më thotë: “Mund të më japësh një pjesë të parave të tua nga roli?”. Nënkuptohej që ata paguheshin më pak. Pranova me shumë kënaqësi dhe pashë vlerësimin me dashamirësi nga personi në fjalë dhe një grup teknikësh të ekipit që u ndodh prezent në atë moment.
Përveç prerjes së flokëve, pate pakënaqësi të tjera?
Nuk isha e kënaqur nga zgjedhja e veshjeve në gardërobën e Kinostudios për rolin, unë zgjidhja të tjera (pa eksperiencë e që filmi nuk është si mund të visheshim me shije çdo ditë) dhe ata vendosnin të tjera veshje në përshtatje me rolin tim në skenar, si vajzë e shtëpisë së fëmijës. Moment i vështirë, por që përfundoi me të qeshura të mëdha, ishte sekuenca e ëndrrës në film. E veshur nuse, duhej të dilja nga një si vitrinë, të thyeja një xham të madh gati sa gjysma e murit, të dilja nga ky xham i thyer dhe të vrapoja në rrugë me fustanin e nusërisë (gjithmonë ëndrra në film ishte kjo skenë). Më thanë që duhej thyer mjaftueshëm që të mund të dilja nga ky xham dhe se nuk mund të përsëritej kjo skenë. Nuk isha e sigurt, xhami ishte i madh e unë trupvogël. Më kapi stresi, a do ta thyeja, a do plagosesha nga copat e thyera kur të dilja nga jashtë vitrinës së thyer.
Futa dorën në një qese plastike, që e mbaja disi të fshehur nën fustanin e bardhë e me një gati revansh të paimagjinuar dhe vetë, me 2 goditje shumë të forta, arrita ta thyeja në copa shumë të mëdha e mund të vazhdoja filmimin e sekuencës pa ndërprerë. Di që dridhesha akoma kur mbaruam e ashtu paksa e përlotur u përfshiva me suportin e të qeshurat bashkë me ekipin, nga reagimi im më shumë seç pritej për këtë sekuencë. Qeshja dhe vetë me to, duke thënë nuk e theva, por e sulmova atë xham vitrine. Skenat nën shiun e improvizuar në Librazhd ishin jo për të qeshur. Sa herë nuk arrihej mirë ajo pjesë, duhej të thahesha e të filloja përsëri nën shi. Thënë këto detaje, që tregojnë përsëri që nuk kisha eksperiencë dhe aty kuptoja sa e vështirë ishte puna e aktorëve, që mbas një ekrani të bukur kinemaje, në përgjithësi, publiku nuk dinte sa mundim kishte mbas një filmi të realizuar. Realizimi i një filmi, sidomos asokohe, duhet të ketë qenë një ngjarje shumë e rëndësishme…
Si u prit produkti përfundimtar?
Kujtim shumë i bukur ishte, pikërisht kjo mbrëmje në Kinostudio, ku prezantohej filmi. Ndihesha në mesin e një publiku që më emociononte shumë, mes skenaristësh, regjisorësh, aktorësh. Përjetoja emocion e vlerësim e pa e ditur preokupimin që përjetonin skenaristi e regjisori, nëse filmi do aprovohej për shfaqjet në kinema. Ai u aprovua dhe nuk pati asnjë skenë të hequr. Suksesi i tij dihet tashmë, nga skenari shumë i mirë i të mirënjohurit Petrit Ruka e realizimit po aq profesional si gjithherë të mirënjohurit regjisor, Pirro Milkani, dhe mbas kaq shumë vitesh që vazhdon të transmetohet rregullisht ky film. Pas këtij filmi, ndjesia më përkëdhelte dëshirën për një film tjetër, edhe pse tashmë e kisha një bonus të fortë si fakt për këtë zhanër, por ishte shumë e rëndësishme të rikapja studimet e provimet në piano që kisha humbur në disa muaj për xhirimet. Rilindi kjo dëshirë në Gjenevë të Zvicrës, ku jetoj prej shumë vitesh. Fitova për rolin e një nëne të re në një film me metrazh të shkurtër me titull “Welcome to paradise” me Akademinë e filmit në Gjenevë. Sigurisht, kënaqësi e re në një kontekst të ri skenari, mjedisi, por gjithashtu të njëjtat vështirësi, plus mungesat nga puna, familja e pianoja.
Si është jeta juaj sot në Zvicër?
Me studimet e gjata e diplomën e Konservatorit të Tiranës, të njohur nga shteti zviceran e ai francez, që me largimin tim nga Shqipëria, vazhdoj të jem pianiste soliste dhe pedagoge në strukturën e Federatës së Konservatorëve këtu. Me koncerte e bashkëpunime dhe në shtete të tjera si dhe për diasporën shqiptare, sigurisht me prioritet muzikën klasike shqiptare. CD ime e parë, “E jona muzikë”, me vepra të kompozitorëve shqiptarë, është vlerësuar e mirëpritur nga kritikë profesionistë në Francë, nga kanali i specializuar për muzikë klasike Francë -Inter dhe në Amerikë. Është gjithashtu pjesë e Librarisë së famshme të Kongresit Amerikan në Uashington. E, pra, zanafilla e vazhdimi i pasionit tim është pianoja e muzika, ku mes duartrokitjeve, fotove të koncerteve, punës profesionale me talentet e reja në piano, bën pjesë me emocion, nostalgji e si kujtim i vyer, eksperienca ime si aktore në filmin “EJA”. /ANI JAUPAJ
Diskutime rreth kësaj post