Kryeministri Edi Rama ka rrëzuar planet e Greqisë për të zgjeruar kufijtë në mënyrë të njëanshme. Në një intervistë për mediat greke shefi i qeverisë u shpreh se nuk mund të ketë zgjerim të territorit pa marrëveshje. Sipas tij, kjo është e detyrueshme për çdo shtet që ka dalje në det, pasi në asnjë mënyrë nuk mund të bëjë zgjerime territori pa patur një marrëveshje me vendet që preken nga ky zgjerim. Kështu në rastin konkret as Shqipëria dhe as Greqia nuk mund të bëjnë lëvizje, pa nënshkruar më parë një marrëveshje, shtoi ai.
“Çdo vend që ka dalje në det ka të drejtën dhe nuk është diçka për të cilën negocioni ose kërkoni nga të tjerët të zgjerojnë ujërat tuaja atje ku është e mundur. Kur kjo nuk është e mundur, vendet duhet të vijnë në një marrëveshje, ndërsa çështja midis Greqisë dhe Shqipërisë është e veçantë, sepse të dy vendet nuk mund të vazhdojnë me zgjerimin e tyre në mënyrë të njëanshme, pa marrëveshjen ndërmjet tyre, sepse natyrisht një gjë e tillë nuk është e mundur”, – deklaroi Rama.
Sakaq, sipas tij, është shumë e nevojshme që kjo çështje të ndiqet nga gjykatat ndërkombëtare, pasi vetëm në këtë mënyrë do të arrihet një vendim objektiv dhe pa ndërhyrje të tjera. Sipas tij, kjo do ishte edhe mënyra më e mirë për të mos cenuar miqësinë mes dy vendeve.
“Unë gjithmonë kam qenë i mendimit që ne nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë në veri të patriotizmit të rremë dhe nacionalistëve budallenj të çmendur këtu dhe atje, ndërsa ne mund të arrijmë një marrëveshje të mirëbesimit duke ngritur çështjen në një gjykatë ndërkombëtare me një rezultat objektiv dhe të jetojmë drejt të gjithë paqësisht nga atje e tutje”, – theksoi kryeministri.
Më tej i pyetur për marrëveshjen detare të 2009 mes Greqisë dhe Shqipërisë, Rama tha se gjykata nuk e pranoi atë pasi e vlerësoi si në dëm të interesave kombëtare për vendin tonë.
“Gjykata vendosi që marrëveshja ishte e dëmshme për interesat tona kombëtare. Që atëherë ne kemi hyrë në fazën e mosmarrëveshjeve dhe më pas të dialogut. Pas marrëveshjes, kishte disa grupe shoqërore që shprehën shqetësimin e tyre të fortë, duke argumentuar se marrëveshja nuk ishte e drejtë. Në atë kohë unë isha udhëheqësi i opozitës dhe vendosëm ta ngrinim çështjen në Gjykatën Kushtetuese, në vend që ajo të bëhej çështje e polemikave politike, siç është zakon në Ballkan, kur të krijohet mundësia të sillem “patriotikisht”, duke minuar kështu nocionin e patriotizmit”, – tregoi ai.
Deklarata për Erdoganin:
Lidhur me çështjen e 2009 Edi Rama është pyetur nëse mendon që Turqia ishte një nga shtetet që ndërhyri mes Shqipërisë dhe Greqisë. I prerë ai ka thënë nuk është e vërtetë që Erdogan ka bërë ndërhyrje të tilla. Madje, sipas tij edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese Turqia nuk figuronte për ndonjë lëvizje në këtë çështje.
“Nuk ishte e vërtetë, ishte 2009, në atë kohë unë isha udhëheqësi i Partisë Socialiste, domethënë opozita dhe nuk isha takuar, dëgjuar apo biseduar me Erdoganin kur ai ishte kryeministër. Çështja shkoi në Gjykatën Kushtetuese, e cila nxori këtë vendim. Kështu që Turqia nuk gjendej askund. Unë thashë që në prani të Dorës dhe e kuptoj zhgënjimin e saj, sepse ajo nënshkroi marrëveshjen, por këto gjëra ndodhin”, – sqaroi ai.
Sakaq më tej ai ka treguar se e ka mik presidentin turk dhe është krenar për këtë. “Jam krenar që jam mik i Erdoganit. Ai kurrë nuk u përpoq të më tregonte asgjë për këtë. Ka qenë një çështje që nga viti 2009 që duhet të zgjidhet. Ne mund ta zgjidhim atë. Shqipëria ka bashkëpunim strategjik me Turqinë dhe Greqinë, por nuk e ndiej që është midis Skyla dhe Charybdis. Është një nder për Shqipërinë që ka këta miq. Greqia është më shumë se një fqinjë, sepse kemi edhe grekë që jetojnë në vendin tonë, shumë vite tani”, – theksoi Rama.
Ndër të tjera ai ka thënë se edhe dërgimin i marrëveshjes në gjykatat ndërkombëtare do të arrinte një marrëveshje edhe midis Greqisë e Turqisë. I bindur ai u shpreh se ekziston një perspektivë e zgjidhjes së çështjes dhe kthimit të krizës në një mundësi të re dhe një zgjidhje të re për të mirën e Europës.
“Turqia është kritike për sigurinë e Europës. Greqia është e rëndësishme për sigurinë e Europës. Turqia është miku më i madh dhe më i afërt i Bashkimit Europian. Turqia është kufiri i kundërt europian. Të gjitha provat argumentojnë se Greqia dhe Turqia duhet të takohen, ta zgjidhin atë dhe të bashkëjetojnë në të ardhmen. Mos harroni t’ju kujtoj miqësinë midis kryeministrit Eleftherios Venizelos dhe Kemal Ataturk”, – deklaroi Rama.
Diskutime rreth kësaj post