Eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho ngre dyshime lidhur me saktësinë e raportimit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë për numrin e qytetarëve të infektuar me koronavirus që kanë humbur jetën në Shqipëri.
Përmes një postimi në Facebook, Dasho mori si shembull rastin e mjekut Sefer Dervishi, i cili ishte shtruar prej dy javësh në terapi intensive tek “Shefqet Ndroqi” dhe ndërroi jetë pasditen e të mërkurës. Mirëpo, në përditësimin e ministrisë për vdekjet nga COVID, ditën e mërkurë dhe atë të enjte, nuk përmendej mjeku nga Kavaja, Sefer Dervishi.
“Në 16 shtator, ministrja Manastirliu nëpërmjet një statusi në Facebook shprehu pikëllimin për ndarjen nga jeta të Dr. Seferit, kolegut kavajas që humbi jetën dje si pasojë e COVID. Doktori ishte 60 ose 61 vjeç dhe banues në Kavajë. Çuditërisht, deklarata e ministrisë për vdekjet nga COVID ditën e mërkurë përmendte një 57 vjeçar nga Lushnja dhe dy persona nga Tirana (përkatësisht 74 dhe 83 vjeç). Ditën e enjte deklarata përmendte katër humbje jete: 66 vjeçare nga Kukësi, 69 vjeçar nga Kurbini, 70 vjeçar nga Elbasani dhe 72 vjeçar nga Tirana. Dy pyetje kam për ministrinë dhe komitetin: cili nga të ndjerët është doktor Seferi? A janë duke u raportuar korrekt humbjet e jetës nga covid në Shqipëri”, – shkruan Dasho.
Në 24 orët e fundit sipas njoftimit të MSH, janë konfirmuar 132 raste të reja pozitive me COVID-19, ndërsa nuk kanë mundur të fitojnë betejën e tyre me virusin 4 persona. Në 24 orë janë kryer 817 testime dhe janë konfirmuar 132 raste, të shpërndara konkretisht 24 raste në Tiranë, 15 në Gjirokastër, nga 10 raste në Korçë, Elbasan, nga 8 raste në Krujë, Lezhë, nga 7 raste në Shkodër, Durrës, nga 6 raste në Kukës, Berat, nga 5 raste në Dibër, Malësi e Madhe, nga 3 raste në Has, Pustec, nga 2 raste në Kavajë, Pukë, Tropojë, Pogradec, Bulqizë, nga 1 rast në Lushnje, Vlorë, Kamëz, Mat, Maliq. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 173 pacientë, 15 në terapi intensive nga të cilët 6 pacientë janë të intubuar. 55 qytetarë janë shëruar në 24 orët e fundit, duke e çuar në 6788 që nga fillimi i epidemisë.
Diskutime rreth kësaj post