Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi i është përgjigjur zëvendëskryeministrit Erion Braçe pasi ky i fundit e sfidoi për t’i nxjerrë vetëm një rast në administratën publike që është shantazhuar për t’u angazhuar me PS apo i është dorëzuar formulari.
Bardhi shprehet i bindur se formlari është shpërndarë nga PS, dhe Erion Braçe e di mirë këtë gjë.
“Erion Braçe të mos fyejë shqiptarët, se nuk i hanë më mashtrimet bajate! Ata i kanë parë erionbraçet e PS në dosjen 184 dhe 339 duke shantazhuar administratën dhe mësuesit për të votuar PS. Formulari është shpërndarë nga PS dhe këtë Erion Braçe e di shumë mirë. Po aq mirë e dinë punonjësit e ndershëm të administratës publike që sot ndjejnë mbi kurriz presionin e bandës në pushtet.
Presioni ndaj administratës për të favorizuar në zgjedhje partinë në pushtet, është vepër penale. Erjon Braçe dhe kushdo tjetër bën mirë ta mësojë këtë! PD është e vendosur të përballë këdo me ligjin për çdo shkelje.
Një hetim serioz, duhet të nisë që tani, për të zbuluar kupolën e PS, të përfshirë në shkelje ligji, jo vetëm me presionin ndaj administratës, por edhe për pazaret e dëshpëruara me bandat! Dhe meqë jemi tek pazaret me bandat: Erion Braçe bën mirë të flasë për firmën e tij në projektin e rikthimit të kumarit në rrugët dhe kullat qendrore të Tiranës”, shkruan Bardhi.
Diskutime rreth kësaj post