Deputeti, Lefter Maliqi, ka zbuluar se nuk do ti bashkohet asnjë prej partive të reja politike që po krijon opozita e re në Kuvend. Maliqi la të kuptohej në Kuvend se ai do të jetë pjesë e një prej partive më të mëdha në opozitë, ose PD ose LSI.
Deputeti u shpreh se ai po konsultohet me elektoratin e tij në Berat, ku tha se për herë të parë PD dhe LSI do të marrin 4 mandate së bashku, edhe pse bëhet një fjalë që ka qenë historikisht i majtë.
Maliqi tha se shpreson që vendi të shkojë drejt protestave masive, që do të bëjnë që zgjedhjet të ndodhin edhe më herët se data 25 Prill, kur e parashikon dekreti i presidentit.
“Lajmi i ditës është dekreti i presidentit për zgjedhje, që do të jenë në 25 Prill, që do të jetë dita e fundit e Rilindjes së krimit dhe korrupsionit. Veç showt që kemi pasur këto ditë në Kuvend, debati do jetë dhe brenda opozitës së re, që është një lojë e Rilindjes të cilët do ti përplasin këto forca të reja politike.
Unë i uroj suksese këtyre forcave të reja politike, në vendin tonë ka më shumë parti politike se deputet, unë e kam thënë dhe e them që këtu ka vetëm 3 parti që marrin deputet nga votat e popullit, që janë PD, PS dhe LSI. Mua më intereson që zgjedhjet të bëhen sa më shpejt, unë shpresoj që opozita të ketë reagime të forta për ndryshimin e njëanshëm që iu bë Kushtetutës. Gjatë një viti kam pasur oferta të ndryshme, dhe në muajin Shtator apo Tetor do të shpall edhe partinë brenda opozitës së bashkuar me të cilën do të jem pjesë, duke u konsultuar dhe me elektoratin tim.
Në Berat do të ketë një rezultat 4 me 3 në favor të partive të opozitës së bashkuar. Sigurisht që kam mbështetje si nga PD ashtu dhe nga LSI, besoj dhe shpresoj të ketë protesta që mund të bënin që parlamenti të shpërndahet dhe më parë sesa dekreti që parashikon presidenti. Mund të kemi dhe zgjedhje të përbashkëta dhe për lokalet në të njëjtën kohë”, – u shpreh Maliqi në intervistën e tij.
VIDEO:
Diskutime rreth kësaj post