Epidemiologu Ilir Alimehmeti jep një lajm të mirë për situatën e Covid-19. Ai tregon se edhe Shqipëria po i afrohet situatës se vendeve të tjera, por me disa javë më vonë. Dy mendohet të jenë arsyet që po na çojnë në këta tregues, cikli i virusit dhe sjellja e qytetarëve.
“Numri i të shëruarve ka filluar të jetë më i madh se numri i rasteve të reja, përqindja e rasteve pozitive ka nisur të bjerë. Para tri javësh ishte 23%, para dy javësh ishte 19%, dhe ditët e fundit është 10-14%. Maqedonia që është në kurbë epidemiologjike para nesh, tani është në rënie dhe përqindja e pozitivitetit atje është 4-5%. Duket se dhe ne, pas një jave, do të ndjekim të njëjtën situatë”.
Sa i përket nivelit të rasteve të rënda dhe humbjeve të jetës, Alimehmeti thotë se do të duhen edhe disa javë që këta tregues të pësojnë ulje. Sipas tij respektimi i masave janë çelësi i suksesit në këtë epidemi. Dy javë para fillimit të mësimit, epidemiologu rekomandon masa strikte në shkolla, si dhe kryerjen e tamponit për të gjithë mësuesit para nisjes së vitit shkollor.
“Prindërit dhe mësuesit të kenë sa më pak kontakte mes tyre, mësuesit të respektojnë masat dhe jo vetëm në letër. Një tjetër mendim është mundësia e testimit të gjithë mësuesve para fillimit të vitit, për ta nisur shkollën me një ambient të pastër, pa virus. Ne kemi çdo ditë 100 raste të reja, ndonjë prej tyre mund të jetë edhe staf mësimor dhe nuk e dinë pasi mund të jenë asimptomatikë”, – thotë Alimehmeti.
Diskutime rreth kësaj post