Tensionet mes Greqisë dhe Turqisë acarohen nga dita në ditë. Deklarata e kryeministrit grek për zgjerim me 12 milje nuk është pranuar aspak nga Ankaraja, ndryshe nga sa ndodhi me Tiranën.
Vetë kryeministri Rama është shprehur se zgjerimin me 12 milje e njeh Konventa, ndërsa turqit janë kategorikë kundër.
“Turqia pret drejtësi nga BE-ja. Bazuar në këtë drejtësi, askush të mos presë që Turqia të bëjë hap mbrapa. Nëse përpjekjet e Greqisë për t’i zgjeruar ujërat e saj territorialë me 12 milje nuk është shkas lufte, atëherë çfarë është? Turqia do të mbrojë të drejtat e saj në çdo metër katror në ujërat e Mesdheut Lindor, cilido qoftë çmimi. Fatkeqësisht, Europa, lëre që nuk është në anën e Turqisë dhe interesave tona, por nuk mbajmë mend të mos ketë reaguar”, – tha zëvendëspresidenti Fuat Oktay.
Lidhur me kërkesën e unionit për dialog, Oktay thotë se Ankaraja njeh gjuhën e paqes dhe diplomacisë, por nuk do të hezitojë për të mbrojtur të drejtat e Turqisë.
“BE-ja bën thirrje për dialog, ndërsa nga ana tjetër ndjek plane të tjera. Ne e njohim mirë gjuhën e paqes dhe diplomacisë, por nuk do të hezitojmë të bëjmë atë që është e nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e Turqisë. Franca dhe Greqia janë midis atyre që e dinë këtë më mirë”, – vijoi ai.
Por nuk ka munguar reagimi grek. Athina këmbëngul te ideja se zgjerimin me 12 milje ja njohin konventat.
“I bëjmë thirrje Turqisë të kuptojë se e drejta ndërkombëtare dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar rendi modern ndërkombëtar, janë detyruese për të gjitha kombet e botës. Ato nuk zbatohen në mënyrë selektive dhe është përgjegjësi e bashkësisë ndërkombëtare t’i mbrojë ato pasi shkelja e tyre sinjalizon rreziqe maksimale”, – tha Athina. Turqia ka vënë ushtrinë në gatishmëri për shkak të tensioneve të shumta me grekët.
Diskutime rreth kësaj post