Në kulmin e një konflikti të përshkallëzuar me fqinjin turk, Greqia bën të qartë se po punon me një strategji të mirëfilltë për zgjerimin e ujërave territorialë në rajonin e Mesdheut. Në një intervistë për mediat greke, ministri i jashtëm Nikos Dendias ka deklaruar se në këtë kontekst së shpejti do të arrihet edhe një marrëveshje me Shqipërinë për zgjerimin në Jon.
“Greqia ka provuar se promovon dialogun me të gjithë fqinjët e saj pa përjashtim. Përmes dialogut të ndershëm arritëm marrëveshjet me Egjiptin dhe Italinë, nënshkrimin e marrëveshjes së mbrojtjes me SHBA. Dhe gjithashtu, përmes dialogut, i cili do të fillojë së shpejti, ne do të arrijmë një marrëveshje edhe me Shqipërinë. Kryeministri njoftoi të mërkurën e kaluar shtrirjen e ujërave tona territoriale në dymbëdhjetë milje detare në Detin Jon në Peloponez. Greqia ka një strategji të qartë për zgjerimin gradual të ujërave territoriale.”, tha Dendias.
Këto plane të vendit fqinj kanë nxitur një debat të ashpër në vendin tonë, nga njëra anë kryeministri Edi Rama thotë se Greqia nuk ka pretendime territoriale me Shqipërinë ndërsa kreu i shtetit, Ilir Meta ka deklaruar se do të veprojë vetëm në bazë të kushtetutës.
Ndërkohë konflikti me Turqinë vijon të përshkallëzohet pasi Ankaraja zyrtare nuk heq dorë nga misioni për kërkimin e gazit dhe naftës në zonat e diskutuara detare me greqinë dhe Qipron, ndërsa flotat e të dyja vendeve qëndrojnë në gatishmëri. Në këtë kontekst, ministri i jashtëm Dendias bëri edhe njëherë thirrje për dialog.
“Dialogu duhet të zhvillohet pa kërcënime dhe shantazhe e pa provokime për luftë. Greqia është një shtet modern dhe i besueshëm europian i shekullit XXI dhe mund të punojë vetëm për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve të saj përmes dialogut, sipas rregullave të përcaktuara nga ligji ndërkombëtar. Ne presim të njëjtën gjë nga bashkëbiseduesit tanë, pa asnjë përjashtim. Ne do të vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Turqisë që të marrë pjesë në realitetin modern ndërkombëtar, duke respektuar ligjin ndërkombëtar dhe sovranitetin e shteteve të tjera përreth tij.”, tha Dendias.
Greqia do të apelojë cështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë nëse nuk arrihet një marrëveshje me Turqinë përmes dialogut. Ndërsa presidenti Recep Erdogan ka përsëritur qëndrimin e tij se Turqia nuk i dorëzohet pushtuesve dhe asnjë kërcënimi.
Diskutime rreth kësaj post