Jozefina Topalli, e vetmja ish-zyrtare e lartë e PD-së e përfshirë në listën me 3 600 kandidatë të propozuar nga strukturat për deputet dhe kryetar bashkie ka refuzuar të plotësojë formularin që lidhet me CV-në e saj, eksperiencën, miqtë e kolegët, si kusht për të vazhduar fazën e dytë të procesit për zgjedhjen e kandidatëve për deputet.
Për gazetarin, Erl Murati, qëndrimi i zonjës Topalli nuk është aspak surprizë pasi prej vitesh ajo është distancuar nga PD.
“Patjetër që zonja Topalli është një personalitet politik me eksperiencë, patjetër që ka qenë pjesë e hIstorisë së PD. Por politika kështu e ka, ecën përpara. Ne e dimë se mjaft figura historike në të dyja partitë, PD-PS, janë larguar nga këto parti, ose kanë krijuar parti të tjera, ose janë larguar nga politika, ose janë hedhur te kundërshtari. Nuk do ta veçoja si një rast që do të ndryshojë trajektoren e rezultatit politik në zgjedhjet e ardhshme.Sa i përket përfaqësimit politik çdo shije është e drejtë.
Ndoshta një simpatizant, militant apo analist do të parapëlqente që PD të ruante shtyllën e saj, të rikthehet në kryesi dhe drejtim Topalli, Berisha dhe Ruli. Por ka edhe individë që kanë një këndvështrim tjetër, mendojnë që partitë kanë nevojë për rinovim si çdo gjë tjetër. Sigurisht energjia dhe rinovimi duhet të vinë paralelisht me eksperiencën. Por Topalli ka disa vite që është shkëputur nga PD dhe strukturat e saj prandaj për mua nuk është një zhvillim surprizë fakti që Topalli është distancuar dhe nuk synon të kandidojë në këtë parti.”, tha gazetari.
Diskutime rreth kësaj post