Shtatori i këtij viti është një nga muajt më enigmatikë të historisë së politikës shqiptare. Janë një sërë problematikash që kanë ngelur pezull nga fundi i korrikut, ku ndryshimet kushtetuese e kanë futur në errësirë procesin zgjedhor, pasi ende janë të paqarta se cilat do të jenë modalitetet për zhvillimin e zgjedhjeve të 2021.
Fillimi i shtatorit do të zbërthejë formulën e koalicioneve, listave të hapura dhe do të kuptohet qartë nëse palët do ja lënë stafetën njëra-tjetrës në zgjedhjet e ardhshme.
Një fakt konkret është që nga ndryshimet kushtetuese më i godituri nga të gjithë është presidenti Ilir Meta, i cili përveç hemoragjisë akute elektorale ndodhet përballë sfidës së ndryshimeve që e rrudhin forcën e tij politike.
Tensioni në politikën shqiptare vjen edhe nga një sërë rrethanash të reja që janë krijuar nga përmbyllja e zinxhirit të “inkuizicionit”, ku aktivizimi i BKH me zgjedhjen e shefes të saj ka rritur pritshmëritë në opinion për nisjen e fushatës aq të trumpetuar për asgjësimin e peshqve të korrupsionit. Tashmë SPAK, BKH dhe gjithë organet e vetingut janë në eficencë të plotë dhe do të jetë shtatori i cili do të tregojë frymën që do të ketë aktiviteti i këtyre organeve për fatin e politikës shqiptare.
Sipas burimeve të gazetës SOT, janë dhjetra dosje që janë drejt përmbylljes për shumë eksponentë të politikës që janë të implikuar në pastrim parash, korrupsion, pasurim të paligjshëm dhe disponibilitet pronash dhe pasurish të pajustifikuara. Në dosje janë emra ministrash, ish ministrash, ish kryeministrash dhe personazhe nga biznesi që janë të përfshira në afera gjigande që janë vënë nën hetimin e SPAK.
Bëhet fjalë për përgjime të pafundme të emrave të njohur të politikës, biznesit dhe medias, të cilëve ju kanë dekriptuar edhe aplikacionet ku komunikonin dhe bënin aferat e tyre. Dosje të tëra voluminoze janë dorëzuar nga ILDKP pranë investiguesve, ku janë zbardhur diskordancat e pasurive dhe manipulimet me dokumentacionet e deklarimit të të ardhurave dhe pasurive.
Përpos të gjithave shtatori do të jetë pikënisja e përcaktimit se kush do të jetë mazhoranca e radhës. Mesazhi i qartë i ambasadores amerikane nuk i lë shumë shpresë Edi Ramës për një mandat të tretë. Kreu i mazhorancës, të vetmen shpresë shikon zgjedhjet në Amerikë si një mundësi për të rregulluar marrëdhëniet me Uashingtonin, nëpërmjet grupimit demokrat, të cilët janë nën ndikimin e fortë të qarqeve sorosiane. Edi Rama ka nisur një tur takimesh me figura eksponenciale të biznesit, politikës, apo dhe krerët e shumë bandave që të jenë në gatishmëri për përfshirjen e tyre në zgjedhjet e ardhshme.
Ndërkohë Edi Rama nis fushatën gjysëm i fikur nga kërkesa amerikane për rotacion, ndryshe sillet kreu i opozitës. Pas mikpritjes të ngrohtë në rezidencën e ambasadores së SHBA, kreu i PD ka zgjedhur të njëjtën taktikë me KOP e Berishës, duke filluar një përzgjedhje masive emrash të cilët i ka futur në sitën e pastërsisë së figurës. Në këtë këndvështrim, kreu i opozitës është duke krijuar ekipin e qeverisë së re, nëpërmjet një sërë procedurash që pretendohet të rrisin transparencën e njerëzve që do përbëjnë parlamentin e ri dhe administratë ere në postet politike.
I vetmi që ulëret si Mic Sokoli gjatë kësaj periudhe ka ngelur Ilir Meta. Ky i fundit ka marrë mesazhin e qartë se fati i tij politik ka marrë krisje dhe me ç’duket do të ketë probleme serioze si subjekt i drejtësisë së re.
Padyshim që muaji shtator si asnjëherë tjetër ka peshën e zbardhjes së shumë prognozave apo imagjinatave që njerëzit kanë ndërtuar në trurin e tyre për çfarë do të ndodhë katër vitet e ardhshme.
Një gjë është e qartë që rotacioni do të jetë i pashmangshëm, por formulat për të sjellë kreun e PD në pushtet janë të padekriptueshme, pasi e majta vazhdon të ngelet me elektorat kompakt dhe të qëndrueshëm.
Nuk është çudi të kemi një qeveri stabiliteti nën kuadrin e marrëveshjes së 17 Majit.
Diskutime rreth kësaj post