Mbyllja e laboratorit të dytë në QSUT, i cili u certifikua për të kryer teste mbi identifikimin e rasteve Covid-19 nuk përbën aspak një lajm të mirë. Kështu shpehet mjeku i njohur epidemiologu, Ilir Alimehmeti.
“Mbyllja e një laboratori të rëndësishëm si ai i QSUT-së patjetër që nuk është një lajm i mirë. Kjo do të bëjë që të ketë një efekt mbi shifrat. Është një laborator që mund të kishte dhënë një ndihmë shumë të madhe. Përsa i përket rritjes së testimeve emëruesi i përbashkët është shtimi, hapja, përmirësimi e me radhë. Fjalë të tilla janë gjithmonë pozitive. Edhe futja e sektorit provat qe pozitive. Hapja e laboratorëve të tjerë do qe pozitive. Rritja e kapaciteteve, qofshin private e qofshin shtetërore do të ishte pozitive. Nga ana tjetër, kemi të kundërtën. Nëse themi mbyllim heqim përkeqësojmë patjetër që është një gjë negative”, – tha ai.
Duke komentuar më tej shifrat e fundit të rasteve të reja të të prekurve me Covid-19 gjatë këtyre ditëve, epidemiologu pohon se megjithëse të larta në dukje, nuk janë aspak të tilla nëse llogarisim se janë shtuar testimet.
“Testimet sa më shumë që të jenë, aq më shumë do të bëjnë të mundur izolimin dhe kontrollin e situatës. E po të vëmë re, java që sapo kaluam, ka patur testime të një shifre le të themi rekord për nivel javor dhe shohim që ajo shifra menjëherë ra”, – shtoi ai.
Epidemiologu këshillon të tregohet kujdes me mbajtjen nën kontroll të përhapjes së virusit Covid-19 gjate vjeshtës, kur edhe nisin te qarkullojnë virozat stinore.
“Shpresojmë më të mirën, por le të përgatitemi edhe për skenarin më të keq”, – u shpreh mjeku.
Diskutime rreth kësaj post