Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me krizën në Bjellorusi, ku BE-ja ka dhënë miratimin që OSBE-ja që drejtohet nga Shqipëria të negociojë me qeverinë dhe opozitën në Minsk.
Kreu i ekzekutivit i ka kthyer përgjigje atyre që e akuzojnë se po merret me këtë çështje. Rama thotë se OSBE-ja nuk shkon në protestë për të bërë fotografi, por për të komunikuar me qeverinë dhe opozitën.
Pavarësisht kohës së vështirë prej pandemisë, Rama thotë se është krenar që BE-ja i është përgjigjur me pozitivitet ofertës së OSBE-së për të negociuar krizën në Minsk. Kreu i qeverisë shqiptare siguron të gjithë të interesuarit se Shqipëria po bën më të mirën bashkë me Suedinë për këtë çështje.
“Disa shqipe të politikës së madhe që fluturojnë lart, po vrerosen pse nuk kam shkuar në Minsk dhe ia paskam humbur një shans Shqipërisë! Në Minsk OSBE nuk shkon për selfie në protestë, po për të komunikuar me qeverinë dhe opozitën, çka kërkon aprovimin e të dyja palëve. Dhe si gjithnjë, ndërkohë që BE-ja si e tërë e disa shtete kryesore të saj e kanë mbështetur nismën e Shqipërisë dhe po punojnë ngushtësisht me ne, prej ditësh për ta marrë mundësuar misionin atje, shqipet në fjalë hedhin glasa mbi Shqipërinë nga lartësia e padijenisë së tyre. Unë jam krenar për faktin se megjithë kohën e mallkuar të pandemisë, lidershipi ynë i OSBE ka kryer me sukses punën e premtuar dhe ka fituar respekt e besim ndërkombëtarisht, çka e tregon qartë edhe referimi i BE-së ndaj ofertës së OSBE për Minskun. Nuk i kemi bërë publike komunikimet e shpeshta të këtyre ditëve me aktorë të niveleve të larta në BE e jo vetëm, sepse kjo është natyra e punës në këtë fazë, por dua t’i siguroj të gjithë të interesuarit për këtë temë se Shqipëria po bën vërtetë më të mirën, bashkë me Suedinë”, shkruante Rama në Twitter./tvklan
Diskutime rreth kësaj post