Ekspertët janë shprehur se nuk do të ketë një valë të dytë virusi. Një artikull i “The Guardian” ka trajtuar mundësinë e rikthimit të një vale të dytë, ku profesorë dhe mjekë të ndryshëm janë shprehur se një valë e dytë mund të mos ekzistojë. Sipas tyre të folur mbi valën e dytë të virusit, është në një farë mënyrë përhapje paniku, ku shtojnë se virusi është mes nesh dhe nuk ka ikur, andaj nuk bën sens të flasin për rikthim dhe valë të dytë.
“Vala e dytë nuk është një term që ne do të përdorim, në epidemiologji, në kohën e tanishme, pasi virusi nuk është zhdukur, është në popullatën tonë, është përhapur në 188 vende deri më tani, dhe ajo çfarë shohim tani është thelb i lokalizuar ose kthim i lokalizuar i një numri të madh rastesh”, shprehet Linda Bauld, profesore e shëndetit publik në Universitetin e Edinburgh.
Ndërsa Tom Frieden, ish-drejtori i Qendrave të SHBA për Kontrollin e Sëmundjeve, ndan të njëjtin mendim me ata që shprehen se, koncepti është i padobishëm, duke nënkuptuar se Covid-19 do të veprojë njësoj si gripi.
“Komplikimi i çështjes është perspektivë. Parë nga një këndvështrim global, siç është ai i OBSH, pandemia duket si një shpërthim i vetëm, i madh dhe akoma përshpejtues, me numrin në të gjithë botën dyfishuar në gjashtë javët e fundit”, thuhet në artikull.
Keith Neal, profesor i njohur në epidemiologjinë e sëmundjeve infektive në Universitetin e Nottingham, tha se termi “valë e dytë” është bërë një term mediatik, si dhe shkencor. Sipas tij është një terminologji e paqartë dhe del kundër saj.
“Ajo që ne po shohim janë thumba në shumë vende, dhe në Leicester, në Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera. Disa njerëz mund t’i quajnë këto valë, por nëse ato ndodhin, ne po shohim dhjetëra valë. Edhe në Australi ka qartazi një përmbysje, sëmundja ishte në nivele të ulëta në fillim, kështu që është një terminologji e paqartë”, shprehet Ketih Neal.
Izolimi i dytë
Një izolim i dytë do të ishte shkatërrues për ekonominë. Kjo është deklarata e shumë studiuesve të ekonomisë, të cilët kanë folur për pandeminë dhe mundësinë e një izolimi të dytë. Po ashtu edhe mjekë të njohur kanë folur mbi këtë dhe kanë thënë se, një izolim i dytë nuk është i nevojshëm. Revista “The Global and Mail” ka publikuar një artikull dy ditë më parë, sa i takon mundësisë për një izolim të dytë.
Artikulli bazohet tek deklarata e profesorit të Harvardit Emmanuel Farhi, i cili ka humbur jetën dy javë më parë, por ka folur gjatë për pandeminë. Një muaj më parë, Dr Farhi ishte bashkautor i një shkrimi të botuar nga Instituti Brookings, i cili flet pikërisht për pyetjen kryesore që hasin qeveritë, teksa mendojnë për mundësinë e një vale të dytë, pra nëse duhet apo jo një izolim i dytë. Përgjigja që profesor Fahri jep është qartazi “jo”.
Fahri është një novator në të kuptuarit e sistemit global financiar, analizës makroekonomike dhe politikës fiskale.
“Zbulojmë se një raund i dytë i mbylljes ekonomike nuk është as i mjaftueshëm as i nevojshëm për të shmangur ose shuar një valë të dytë”, thuhet në artikull.
Më tej artikulli thekson se ndërhyrjet jo ekonomike, të tilla si distancimi fizik apo mbajtja e maskës, mund të zbusin valën e dytë dhe lënë vend edhe për rimëkëmbje ekonomike. Pra artikulli nënvizon se izolimi i dytë mund të shmanget dhe nuk është i nevojshëm, nëse qeveritë marrin masa të tjera.
“Në të kundërt, ndërhyrjet jo-ekonomike, jo-farmaceutike, të tilla si rikthimi i kufizimeve në tubimet shoqërore dhe rekreative, stresi i mbajtjes së maskës dhe distancimi fizik, rritja e testimeve dhe karantinës, rritja e mbrojtjes për të moshuarit dhe më të prekurit nga virusi, së bashku mund të zbusin një valë të dytë duke lënë vend për një rimëkëmbje ekonomike”, thekson Dr. Fahri në artikull.
Diskutime rreth kësaj post