Kosova është duke u përgatitur për krijimin e kapaciteteve shtesë për përballjen me COVID-19 në muajin shtator, atëherë kur sipas profesionistëve shëndetësorë, Kosova do të përballet edhe me virusin sezonal dhe eventualisht mund të ketë rritje të numrit të raste me koronavirus. Për këtë arsye, janë duke u bërë përgatitje për funksionalizimin e një spitali të përkohshëm me deri 500 shtretër.
Mikrobiologu në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Lul Raka, thotë për Radion Evropa e Lirë, se përballja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, do të jetë edhe më e vështirë në shtator kur shfaqet edhe gripi sezonal dhe kur temperaturat fillojnë të bien.
“Në shtator kur kemi gripin sezonal, kur fillon ftohja e motit dhe kur një pjesë e madhe e njerëzve qëndrojnë brenda nëpër lokale, kjo besoj që do të vështirësojë edhe më shumë përballjen me virusin. Do të kemi dy viruse përballë – koronavirusin dhe virusin sezonal”, – thotë Raka.
Ai shton se me paraqitjen e gripin sezonal, gjendja do të jetë më sfiduese për Kosovën.
Gripi sezonal është një infeksion akut viral. Transmetohet direkt nga një person i sëmurë te tjetri përmes spërklave gjatë kollitjes ose teshtitjes dhe në mënyrë indirekt me prekjen e objekteve të kontaminuara me virusin e gripit sezonal.
Dallimi mes koronavirusit dhe viruseve sezonale, sipas profesionistëve shëndetësorë, është se koronavirusi i ri është më i ashpër se viruset sezonale, pikërisht për shkak të përhapjes së shpejtë që ka. Ndërkaq, sa i përket simptomave, ka ngjashmëri, si: ethe, temperaturë, dhimbje fyti, të vjella, diarre, kokëdhimbje etj.
Përkeqësimin e situatës me COVID-19 në muajin shtator e ka theksuar edhe Isme Humolli, zyrtare për emergjenca e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë, në një intervistë për Radion Evropa Lirë dhënë më 23 korrik
Duke u nisur nga këto paralajmërime se numri i rasteve me COVID-19 mund të rritet në shtator, Kosova po përgatitet për rritje të kapaciteteve spitalore.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar, Valbon Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë duke u marrë në mënyrë intensive për krijimin e hapësirave të reja dhe organizimin e personelit për trajtimin e pacientëve me COVID-19.
“Jemi duke punuar në rritjen e kapaciteteve të shtretërve dhe përmirësimin e furnizimit me oksigjen të të gjitha spitaleve regjionale. Jemi po ashtu në procedura të vendosjes se rezervuarëve të oksigjenit të lëngshëm, pasi kemi parë që furnizimi me oksigjeni me anë të bombolave është i vështirësuar dhe është sfidues, pasi kërkon fuqi të madhe punëtore”, – thotë Krasniqi.
Kosova në përgatitje të një spitali të përkohshëm
Kosova po ashtu është në përgatitje të një spitali të përkohshëm i cili do të përdoret për trajtimin e rasteve me COVID-19.
Krasniqi bën të ditur se spitali i përkohshëm është menduar të ketë deri në 500 shtretër.
“Nëse shkon gjithçka mirë, brenda dy muajve gjasat janë që spitali mund të jetë gati”, – thotë Krasniqi.
Ndërtimin e një spitali të përkohshëm e ka paralajmëruar edhe ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj.
Ai në një postim në rrjetin social Facebook, Zemaj ka thënë janë duke punuar në lehtësimin e funksionimit të sistemit shëndetësor, me riorganizimin e ambulancave specialistike dhe me krijimin e një spitali portativ (të përkohshëm), vetëm për pacientët me COVID-19.
Përveç rritjes së kapaciteteve spitalore, Krasniqi thotë janë duke punuar edhe në ngritjen e resurseve humane.
“Ministria e Shëndetësisë ka punësuar 200 punonjës shëndetësorë. Po ashtu është hapur konkursi për specializime ku parashihet të ndahen 1 mijë vende (pune). Po ashtu, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar është duke përgatitur një konkurs për të punësuar specialistët që janë të papunë dhe infermierë. Janë duke u hartuar programe për trajnimin e stafit shëndetësor për siguri në punë, për parandalimin e përhapjes së infeksionit brendaspitalor”, – thotë Krasniqi.
Vetëm në korrik Kosova ka shënuar mbi 5 mijë raste me COVID-19
Në muajin korrik, Kosova ka shënuar numër të madh të rasteve me COVID-19. Vetëm në këtë muaj në Kosovë, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, janë shënuar 5,245 raste me koronavirus.
Me rritjen e numrit të rasteve është rritur edhe numri i të hospitalizuarve.
Në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet rajonale sipas të dhënave të datës 5 gusht janë duke u trajtuar 432 persona të konfirmuar me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Ky numër i madh i të hospitalizuarve ka rënduar klinikat në QKUK dhe kapacitetet pothuajse janë të mbushura.
Aktualisht, në spitalet regjionale dhe në QKUK janë 700 shtretër për rastet me COVID-19.
Të respektohen masat që të mos rrezikohen kapacitetet spitalore
Mikrobiologu Lul Raka thotë se në muajin e fundit në Kosovë ka pasur rritje të numrave te rasteve me COVID-19, që ka çuar në rritjen e numrit të të hospitalizuarve dhe të pacientëve që kanë nevojë për kujdes intensiv. Kjo sipas tij, është përcjellë me rritje enorme të numrit të të vdekurve nga COVID-19.
“Vetëm brenda muajit të fundit kemi pasur numër më të madh të vdekjeve sesa në periudhën paraprake”, – thotë Raka.
Vetëm brenda një muaji në Kosovë janë shënuar mbi 200 vdekje nga COVID-19.
Respektimi i masave si vendosja e maskës, distanca fizike dhe mbajta e higjienës personale, shton Raka, do të përmirësonte gjendjen dhe numri i të infektuarve do të shënonte rënie.
Sipas të dhënave të IKSHPK-së, shton Raka, 50 për qind e personave të konfirmuar me COVID-19 janë pa simptoma, por që e shpërndajnë sëmundjen.
Që prej 13 marsit deri më 5 gusht, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Kosova ka regjistruar 9,492 raste me koronavirus. Prej tyre, 284 pacientë kanë vdekur dhe 5,346 të tjerë janë shëruar./REL
Diskutime rreth kësaj post