Partia Demokratike ka ngritur dyshime mbi testet e Ministrisë së Shëndetësisë për Covid-19. Ka qenë ish-deputeti demokrat Bardh Spahia ai i cili ka publikuar disa dokumente, të cilat shtyjnë drejt dyshimeve mbi testet e koronavirusit. Me anë të një statusi në Facebook, Spahia ka deklaruar se edhe testet serologjike po dalin me rezultat të gabuar, ku ka sjellë në vëmendje edhe rastin e tamponëve, të cilët po ashtu janë denoncuar nga PD.
Ai ka hedhur akuza ndaj qeverisë duke thënë se ajo hesht përballë këtij skandali. Sipas Spahisë, testet serologjike nuk janë të sakta, ai shprehet se një person ka kryer testin në privat dhe ka dalë pozitiv, ndërkohë që në shtet ka dalë negativ. Më tej, Spahia ngre një sërë pyetjesh ndaj qeverisë, duke thënë se ky është një skandal i madh qeveritar.
“Edhe testet serologjike me rezultat te gabuar, qeveria hesht! Pas tamponëve që nuk japin rezultatin e saktë, vijnë denoncime edhe për testet serologjike! Ka ndodhur tek personeli shëndetësor i vetë laboratorit të QSUT! Një anëtar i këtij personeli testohet tek laboratori i QSUT dhe del negativ. Përsërit testin serologjik tek spitali amerikan dhe del pozitiv! A kemi problem me procedurat e testimit apo kitet e përdorura? Si ka mundësi që i njëjti test del me rezultate të ndryshme në dy laboratorë të ndryshëm”, – ka shkruar ish-deputeti i PD Bardh Spahia përmes një postimi në Facebook.
Ja pyetjet e ngritura nga PD
Teksa ka denoncuar Ministrinë e Shëndetësisë për testet serologjike, ku thekson se ato nuk janë të sakta, ish-deputeti Spahia ka ngritur disa pikëpyetje në lidhje me situatën e Covid-19 në vend. Sipas ish-deputetit demokrat, ka një mungesë transparence nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, ku shton se testet që kryhen janë false. Spahia deklaron se qeveria nuk i është përgjigjur asnjëherë pyetjeve të opozitës në lidhje me testet. Ai pyet nëse po përdoren testet e marra nga Kina të cilat thekson se kishin rezultate false.
“A kemi një situatë edhe me testet serologjike, si me tamponët që rezultojnë fals negativë? Pse vazhdon mungesa e transparencës për këtë situatë? Kjo qeveri nuk i është përgjigjur asnjëherë pyetjes, se a po përdor testet e marra nga Kina të cilat, për shkak se nxirrnin rezultat fals, u kthyen mbrapsht nga Spanja e para e më pas vende të tjera të Europës”, – ka shkruar Spahia.
Numër i ulët testesh
Partia Demokratike edhe më herët ka kërkuar rritje të numrit të testimeve, dhe duket se i qëndron ende kësaj deklarate. Gjatë denoncimit për testet false, Spahia ka ngritur alarmin edhe sa i takon numrit të testimeve. Sipas ish-deputeti të PD, Shqipëria është vendi me numrin më të ulët të testeve në rajon. Sakaq ai shton se rezultatet e bërë publike nga Ministria e Shëndetësisë janë të dyshimta. Ai ka bën një krahasim me vendet e tjera të rajonit, ku sjell në vëmendje numrin e popullsisë dhe testet e kryera nga qeveritë.
“Akoma më serioze është situata, pasi mbetemi vendi me numrin më të ulët të testeve në rajon, edhe ato me rezultate të dyshimta! Serbia: 80 519 teste/1 milion banorë. Mali i Zi: 58 515 teste /1 milion banorë. Maqedonia e Veriut 51 300 teste /1 milion banorë. Bosnje Hercegovina: 43 910 teste /1 milion banorë. Shqipëria: 13 033 teste/1 milion banorë”, ka deklaruar Bardhi. Ndërkohë gjatë një interviste, Spahia është shprehur se vendi ndodhet në kolaps. “Për Covid-19 nuk ka asnjë transparencë. Duhet transparencë e plotë mbi gjithçka që bëhet për koronavirusin. Kemi zero informacion për origjinën e testeve. Jemi në prag të kolapsit të plotë të sistemit shëndetësor. Në Spitalin Shefqet Ndroqi ka më shumë të infektuar nga se thuhet. E gjitha kjo sjell një dështim të plotë të institucioneve shqiptare”, – tha ai.
Diskutime rreth kësaj post