Imunologu Bruce Beutler, fitues i çmimit Nobel për Mjekësinë në vitin 2011, me deklaratën që ka bërë në lidhje me valën e dytë të virusit, ka rrëzuar Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Imunologu mendon se nuk do të ketë një valë të dytë të koronavirusit dhe ka arritur në këtë përfundim pasi ka bërë një analizë të situatës në shumë vende të botës. Ndërkohë që të hënën kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka paralajmëruar se virusi do jetë prezent për shumë kohë, ndërkohë që ka deklaruar se nuk ka ende një strategji të qartë sa i takon vaksinës së Covid-19.
Qëndrimet e OBSH kanë qenë të lëkundura dhe jo rrallë kanë përhapur panik, sikurse është rasti i mundësisë për një valë të dytë. Sakaq imunologu Bruce Beutler, shprehet se shkalla e rasteve të reja dhe shkalla e vdekshmërisë janë gradualisht duke u zvogëluar. Sipas tij izolimi, distanca fizike, apo përdorimi i maskave kanë pasur efekte mbrojtëse. Të gjitha këto të dhëna, e shtyjnë nobelistin dhe imunologun që të mendojë se një valë e dytë është e pamundur.
“Në shumicën e vendeve europiane dhe Shtetet e Bashkuara, duket se shkalla e rasteve të reja dhe shkalla e vdekshmërisë janë gradualisht duke u zvogëluar, edhe nëse njerëzit filluan të dilnin përsëri, të ktheheshin në punë dhe të bashkëveprojnë më shumë. Së bashku me bllokimet, ndryshimet në sjellje (distanca sociale, përdorimi i maskave) duket se kanë pasur efekte mbrojtëse. Popullsia nuk është aq e ndjeshme sa në fillim, kur asnjë nga këto masa nuk ishte marrë. Kjo është e vërtetë, megjithëse aktualisht vetëm një përqindje e vogël e popullsisë është infektuar. Por e gjithë kjo më shtyn të mendoj se nuk do të ketë valë të dytë”, – ka deklaruar imunologu.
Vaksina vitin e ardhshëm
Ndër të tjera, ai ka theksuar pavarësisht të gjitha masave të marra, këto nuk do të jenë të mjaftueshme për të eliminuar virusin. Ndërsa sa i takon vaksinës së virusit, ai tha se ndoshta mund të jetë gati vitin e ardhshëm.
“Të gjitha masat themelore të parandalimit që kemi zbatuar nuk do të jenë të mjaftueshme për të zhdukur plotësisht virusin dhe jeta e përditshme për të gjithë sigurisht që do të mbetet më e pakëndshme se më parë: ka shumë të ngjarë që vetëm një vaksinë efektive të jetë në gjendje për të shuar plotësisht pandeminë. Por kur do të krijohet vaksina? Ndoshta vitin e ardhshëm”, – u shpreh ndër të tjera imunologu.
Asimptomatikët
Imunologu u shpreh i bindur se asimptomatikët mund të infektojnë njësoj si ata që kanë simptoma. Edhe këtu imunologu ka rrëzuar Organizatën Botërore të Shëndetësisë, e cila pak kohë më parë doli me disa deklarata konfuze në lidhje me asimptomatikët. Pak kohë më parë OBSH deklaroi se asimptomatikët nuk e përhapin virusin, ndërkohë që shumë studiues ngritën alarmin në lidhje me besueshmërinë e kësaj organizate. Ndërkohë më vonë Organizata Botërore e Shëndetësisë ndërroi sërish qëndrimin në lidhje me shkallën e përhapjes së koronavirusit, nga të infektuarit asimptomatikë.
“Ajo çfarë iu referova një ditë më parë gjatë konferencës për shtyp bazohet në pak studime që janë publikuar, të cilat ndjekin rastet asimptomatike, pra nuk kishte të bënte me një qëndrim të OBSH-së. Kjo vijon të mbetet një e panjohur shumë madhe”, – është shprehur epidemiologia e OBSH.
Ndërkohë që fituesi i çmimit Nobel në Mjekësi është i qartë në këtë pikë, duke u shprehur se asimptomatikët mund të infektojnë. Sakaq lidhur me pasojat që lë virusi tek personat, ndonëse shërohen, Beutler tha se nëse ata janë prekur rëndë, dëmtimi i mushkërive mund të jetë i përhershëm.
Diskutime rreth kësaj post