Pas përfundimit të takimit të 5 anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit me kreun e PD, Lulzim Bashën, ka dhënë një prononcim për mediat Genc Ruli, i cili është anëtar i këtij komisioni.
Ruli, një ndër themeluesit e PD, por edhe një ndër kritikët më të mëdhenj të saj u shpreh se ka një ndryshim në këtë parti.
Ai u shpreh se në PD do të jenë gjenerata të ndryshme dhe prurje të reja.
“Padyshim që takimi ishte i domosdoshëm. Është një komision që vepron mbi elementë të besimit që duhet të ketë gjithë anëtarësia në PD.
Janë gjenerata të ndryshme të PD dhe prurje të reja. Pavarësisht këtyre ndryshimeve, kanë një gjë të përbashkët, cilësia për të qenë gjakftohtë dhe të urtë. Aftësia për të ruajtur pavarësinë e tyre në përzgjedhjen e kandidaturave.
Unë mendoj që ky proces është deklaruar nga Basha, që është një politikë e hapjes. Vet jam njeri që kam pasur 3 vite më parë vlerësime kritike ndaj Bashës, për arsye se i vlerësoja ndryshe mënyrën si duheshin zhvilluar gjërat.
Ka një ndryshim të PD. Në historinë time kam qenë disa herë kritik ndaj PD, në një kohë kur kam gjykuar se mendimi im për njerëzit dhe situatat ka qenë i ndryshëm. Sot kam bindjen e plotë, dhe ndihem i vlerësuar të jap kontribut në përzgjedhjen e një stafi sa më cilësor, në atë që do të jetë përplasje e madhe elektorale, por padyshim edhe fitorja e madhe”, – u shpreh Ruli.
Diskutime rreth kësaj post