Uragani “Isaia” ka goditur të martën brigjet e Karolinës Veriore, me erëra deri në 140 kilometra në orë. Gjatë fundjavës stuhia tropikale kaloi në një kategori më të dobët në ishujt Karaibe.
Brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë goditur nga stuhia tropikale “Isaia”, që ka sjellë me vete përmbytje dhe stuhi ere.
Rrymat e forta të ajrit me shpejtësi 140 kilometra në orë formuan mbrëmjen e së hënës një uragan të kategorisë së parë që përshkoi bregdetin e Karolinës Veriore.
Autoritetet paralajmëruan banorët në zonat që lagen prej oqeaneve të përgatiten për dallgë deti deri 1 metër e gjysmë të larta dhe reshje deri 20 centimetra teksa vorbulla lëviz më në veri.
Intensiteti i stuhisë pritet të shtrihet edhe në shtetet e Uashingtonit, Filadelfias dhe Nju-Jorkut.
“Me afrimin e stuhisë, presim që intensiteti i saj të rritet. Duhet të jemi në vigjilencë sepse do kemi kushte të rrezikshme moti në gjithë shtetin tonë. Shirat e rrëmbyeshëm, përmbytjet mund të zhytin shumë shpejt në ujë zonat e ulëta,” – informoi guvernatori i shtetit të Karolinës Veriore.
Në shtetin e Floridës, stuhia “Isaia” i kurseu zonat e banuara ndërsa fundjavën e kaluar rrymat ajrore kaluan në Republikën Domenikane dhe Puerto Rikon, duke lënë pas dy të vrarë.
Godina të shembura, dritare të thyera dhe pastrimi i baltës në infrastrukturën rrugore mobilizoi edhe banorët e bregut lindor të Barakoas në Kubë.
“Nga raportimet paraprake mësojmë se disa banesa janë rrënuar plotësisht. Të prekura janë edhe gjashtë godina të përkohshme dhe komplekse apartamentesh.”
Qytetarët në zonat e rrezikuara të Amerikës janë udhëzuar të ndjekin urdhrat e evakuimit, ndërsa për ata që shfaqin simptomat të kovidit të ri në këtë periudhë pandemie, janë rezervuar ambiente të posaçme karantinimi.
“Isaia” është stuhia e nëntë e fortë që godet këtë vit Shtetet e Bashkuara.
Diskutime rreth kësaj post