Një ditë pas ndarjes nga jeta të së ëmës, kryeministri Rama postoi në rrjetet sociale një dedikim të ndjerë për humbjen e njeriut të tij të shtrenjtë.
Pikërisht ky status ka emocionuar edhe moderatoren e njohur të ‘Top Channel’, Arbana Osmanin, e cila e ka ripostuar në Instagram këtë dedikim të kryeministrit Rama, duke thënë se ky ishte një nga dedikimet më emocionuese që ajo kishte lexuar.
“Një nga dedikimet më të bukura që kam lexuar ndonjëherë për nënën”, – shkruan Arbana, teksa riposton statusin e Ramës, që është si më poshtë:
“Mund të derdhësh lot pse iku, Ose mund të buzëqeshësh sepse jetoi. Mund të mbyllësh sytë e të lutesh që të kthehet, Ose mund t’i hapësh e të shohësh gjithçka të ka lënë. Zemra jote mund të jetë bosh sepse nuk e sheh dot më, Ose ti mund të jesh plot me dashurinë që ndave me te.
Mund t’ia kthesh shpinën të nesërmes dhe jetosh në të djeshmen, Ose mund të jesh i gëzuar me të nesërmen për çka ishte e djeshmja me të. Mund ta kujtosh atë vetëm për ikjen e saj. Ose mund të kujdesesh për kujtimin e saj që ajo të jetojë në të.
Mund të qash e të mbyllesh në vete, bosh e me kurriz nga bota. Ose mund të bësh atë që nëna do të donte: Të hapësh sytë, të qeshësh, të duash dhe të ecësh përpara…
***Edhe në emër të familjes sonë lejomëni t’ju falenderoj përulësisht, për praninë tuaj të paçmueshme përmes mesazheve të pafundme e luleve të panumërta, që disi e lehtësuan peshën ndrydhëse të boshllëkut tonë të pangushëllueshëm.
Duke ju kërkuar një ndjesë të thellë për të qenit i pamundur t’ju përgjigjem, ju uroj me shpirt të gjithë atyre që jetojnë me këtë boshllëk, të rrojnë sa më gjatë që ta kujtojnë nënën e tyre dhe të tjerëve që kanë fatin ta kenë pranë yllin e shtëpisë, t’i kenë nënat sa malet dhe t’i gëzohen sa më shumë dritës së tyre, të pakonkurrueshme as nga dielli e nga vetë yjet e qiellit.” – kishte shkruar Rama.
FOTO:
Diskutime rreth kësaj post