Me anë të një njoftimi zyrtar Instituti i Shëndetit Publik i ka bërë thirrje qytetarëve të mbrohen nga goditjet e nxehtësisë ekstreme. Goditjet nga nxehtësia janë një nga ndërlikimet më të vështira të stresit termik.
Kjo gjendje shkaktohet në kushtet e temperaturës së jashtme dhe nivelit të lartë të lagështirës së ajrit, si dhe për shkak të punës së rëndë.
Nga ekspozimi intensiv i organizmit në diell, shkaktohet rritje e menjëhershme e temperaturës së trupit, mbi 41 gradë brenda një periudhe të shkurtër kohore 10- 15 minuta.
Shenjat e goditjes nga nxehtësia janë:
Temperatura e lartë e trupit (mbi 40°C).
Lëkura e thatë dhe e nxehtë.
Frymëmarrja e vështirësuar.
Takikardia-ritmi i shpejtë i zemrës (169/180 rrahje në minutë).
Tensioni i ulët i gjakut.
Marramendja, dhembja e kokës, të lodhurit.
Përzierja e barkut dhe të vjellat, ngërçet, përhumbja, të ecurit e pasigurtë.
Humbja e vetëdijes.
Mungesa e djersitjes.
Nëse tek dikush vërehen simptomat e goditjes nga nxehtësia, është e domodoshme që brenda një afati sa më të shkurtër t’i ulet temperatura dhe t’i ofrohet ndihma e parë e domosdoshme.
Është e nevojshme:
Të dërgohet personi në një dhomë të ftohtë ose në hije.
Të çlirohet nga rrobat e tepërta.
Të freskohet duke ia larë faqet me ujë të ftohtë, duke e vënë në vende të freskëta dhe të ajrosura.
Nëse është në gjendje të vetëdijshme t’i jepet të pijë lëngje (pa kafeinë dhe alkool).
Rekomandohet zgjedhja e rrobave e përshtatshme për kushtet klimatike, pëlhurat e ndritshme dhe materialet natyrore, rihidratimi i rregullt, freskimi i herëpashershëm.
Diskutime rreth kësaj post