Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu shprehet se vendet e BE do të marrin nesër një vendim për të gjitha vendet, për të hapur ose jo kufijtë.
“Do të ketë një vlerësim të vendeve të BE nesër. Ata do të marrin në vlerësim gjithë vendet, bazuar në kriterin epidemiologjik, në numrat e rasteve të reja për 100 mijë banorë për 14 ditëshin e fundit. Dua ta theksoj se këto janë vlerësime periodike.
Ne kemi bërë takime me ambasadorët e këtyre vendeve, janë shpjeguar të gjitha situatat. Pavarësisht vendimit që do merret, kjo është një situatë dinamike. Vlerësohen 14 ditët e para, pastaj vlerësohen 14 ditët e tjera”, tha Manastirliu në emisionin e Eni Vasilit.
Më tej, ajo tha se vendi ynë e ka hequr sistemin e karantinës për ata që kthehen nga vendet e BE-së.
“Ne e kemi hequr karantinën 14 ditore, por kemi vendosur një klauzolë me Komitetin, që në rast se ne e vlerësojmë të detyrueshme karantinën mjekësore ajo do vendoset”, u shpreh ministrja.
Përsa i përket zërave për një rikthim të mundshëm të vendit në izolim si në nisje të pandemisë, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tregoi se Shqipëria nuk do kthehet mbrapa dhe kërkoi që qytetarët të zbatojnë rregullat.
“Shqipëria nuk do kthehet mbrapa, por diçka i kërkojmë publikut. Të zbatojë masat. Çelësi për të vijuar në normalitetin e ri janë masat që duhet të zbatojmë. Të mbahen maskat nëse nuk zbatohet distancimi. Distancimi social që duhet të jetë element i futur në kulturën e përditshme, larja e duarve, kollitja… Këto janë masa të thjeshta. Nëse i zbatojmë s’do kemi përhapje të covid”, tha ajo.
Diskutime rreth kësaj post