Zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe rezultatit i tyre pritet të shtojnë divergjencat mes Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj. Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, i cili njihet si një nga besnikët e Bashës në opozitën e bashkuar, nuk e ka përjashtuar një koalicion me socialistët në 2021-in nëse votat e tij do të nevojiten për qeverinë e re.
Zoti Duka teksa ishte i ftuar në një studio televizive theksoi se mund të bëjë një koalicion me Partinë Socialiste, por pa Ramën kryeministër. Sipas tij, një ndër emrat konsensualë do të ishte Erjon Braçe.
“Nuk ndodh kurrë. Marrëveshja nuk mund të shkelet, nëse ndodh do të konkurrojmë vetëm dhe pastaj zgjedhjet janë normale në bazë të peshës. Por edhe mund të ndodhë që të dalim nga opozita, pasi nëse ne marrim aq deputetë sa i duhen forcës që do të fitojë dhe në rastin konkret mund të jetë PS, por pa Ramën, unë personalisht me Ramën nuk mund të bëj koalicion, ne jemi thyer njëherë për atë punë. Por kush mund të jetë tjetër? Mendoj se PS ka shumë figura. Për shembull zoti Braçe? Ai mund ta bëjë, shumë i mirë është, ka shumë eksperiencë dhe shumë më shumë kontribute sesa Rama në PS, që është konvertuar socialist kohët e fundit, ka qenë rilindas. Në jetën politike ka qenë simpatizant i opozitës aso kohe, anti-konformist, pak rebel, që i pëlqente mendja e tij e papërshtatur nga forca që ka dalë më vonë u konvertua, filloi të vishej me kollare”, – deklaroi ai.
Megjithatë, nga ana tjetër kryetari i PAA-së, Agron Duka u shpreh se sondazhet nxjerrin koalicionin opozitar fitues të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
“Nëse ne kandidojmë, opozita e bashkuar në koalicion, përballë PS-së e vetme, në kërkim të ndonjë aleati, fiton opozita, në çdo sondazh. Koalicioni është i fortë. Vetëm nuk qeveris LSI-ja, qeveris me atë tjetrën, prostitucioni nuk bëhet vetëm, do partner, prandaj akuzo atë tjetrën, që sa herë i duhet për të qeverisur i bën ofertë tjetrës. Mos bëni diversione. Vetë Rama me natyrën e tij ka larguar gjithmonë aleancat”, – u shpreh ai.
Ndërkohë, i pyetur nëse koalicioni opozitar nuk arrin të vijë në pushtet në 2021, a do të kërkojë dorëheqjen e Lulzim Bashës, zoti Duka theksoi se këtë gjë mund ta kërkojnë vetëm demokratët. “E para nuk më takon mua, sepse nuk jam anëtar i PD-së. Atë mund ta bëjë PD-ja nëse dëshiron, por unë nuk mendoj se mund të ndodhë një gjë e tillë”, – nënvizoi kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka.
Diskutime rreth kësaj post