Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, ka folur mesditën e sotme lidhur me situatën politike në vend dhe Reformën Zgjedhore. Ai u pyet edhe për koalicionet zgjedhore.
Milo tha se një kërkesë e tillë nga Partia Socialiste për koalicon deri në këto momente nuk ka ardhur, por nuk përjashtohet mundësia që ajo të vijë në javët apo muajt në vijim.
“Jo dhe jo për fajin tonë. Ka një qasje krejt tjetër Partia Socialiste nga Opozita. Për shkak se Partia Socialiste e zbatoi këtë që në 2017 kur nxori parullën që ne bëjmë aleancë me popullin dhe jo me partitë. Atëherë ishte e bindur për mënyrën se si veproi, do t’i fitonte zgjedhjet siç i fitoi dhe vijoi të eci po në atë rrugë, po në atë skemë dhe nuk ka nevojë sipas mendimit të tyre.
Flasim gati një vit para zgjedhjeve nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë gjatë javëve dhe muajve që do të vijnë. Por deri në këtë moment Partia Socialiste nuk është e interesuar që të ketë koalicione. Unë mendoj se prapa këtyre nismave që po shfaqen nga partitë e ashtuquajturës opozitë parlamentare, është dora e Partisë Socialiste. Është një pazar që është bërë mes asaj dhe kësaj opozite me qëllim që të garantojë votimin e paketës elektorale që po përgatitet dhe që sot shpresohet se do të mbyllet”, u shpreh Paskal Milo.
Diskutime rreth kësaj post