Kryetarja e Komunitetit Anti-Covid, Mira Rakacolli, ka sqaruar në një intervistë televizive të gjitha pikëpyetjet për shtimin e rasteve të infektuar dhe dyshimet për QSUT si vatër infeksioni.
Sipas Rakacollit rritja e numrit të të infektuarve ishte e pritshme për komunitetin që ndjek situatën, pasi si në çdo vend tjetër edhe në Shqipëri hapja e masave kufizuese do të sillte rritje të rasteve për shkak se kontaktet mes njerëzve janë më të shumta. Ndërkaq ajo sqaroi se bazuar në numrin e të shtruarve në spital dhe të pacientëve që trajtohen në terapi intensive situata është nën kontroll.
“Kjo është normale të ndodhi në çdo politikë hapje, me hapjen ishte një gjë e parashikuar sepse me politikën e hapjes rritet numri i njerëzve që kanë kontakt me njëri-tjetrin, zgjatet koha që ata rrinë dhe njëkohësisht zgjatet edhe ekspozimi ndaj koronavirusit. Nuk është një fenomen që komiteti nuk e kishte parashikuar. Nuk gjykohet vetëm nga numrat ditorë. Përveç numrave ditorë gjykohet me rastin e atyre që janë asimptomatik. Gjykohet në bazë të shtruarit në spital. Gjykohet mbi bazën e atyre që janë rëndë në njësitë e kujdesit intensiv”, – u shpreh ajo.
Më tej, sa i përket lajmeve për infeksionet në QSUT ajo tha se nuk është qendër e përhapjes. Sepse rastet aktive nuk janë përhapur të gjitha nga QSUT-ja. Infektimi i personelit shëndetësor është një fenomen mbarë botëror dhe është një fenomen i pranishëm në çdo strukturë që merret me trajtimin e sëmundjeve infektive.
Teksa theksoi faktin se nuk do të ketë rikthim të masave izoluese, ajo u bëri thirrje qytetarëve të ndërgjegjësohen dhe të zbatojnë rregullat e vendosura në protokoll.
“Rikthimi në karantinë për momentin nuk është një opsion. Unë bëj apel për njerëzit. Po të respektojmë të gjithë bashkë me rigorozitet rregullat do të vijojmë të jemi të suksesshëm si në situatën e parë. Me numrat që kemi jemi në gjendje që nëse i zbatojmë këto masa të vazhdojmë të jemi të kontrolluar dhe as të mos diskutohet më çështja e kthimit në karantinë. Duhet të kemi një lloj sigurie në jetët tona. Virusi është, ekziston dhe e vetmja mënyrë mbrojtje është masat për ta mos e kontaktuar fizikisht atë, nëpërmjet distancimit dhe kimikisht me anë të përdorimit të dezinfektantëve”, – u shpreh Rakacolli.
Diskutime rreth kësaj post