Numri 2 i Shëndetësisë shqiptare, Dr. Mira Rakacolli, kumtoi anulimin e një vendimi sa i përket hapje së mëtejshme, e kjo për shkak të rritjes së rasteve të infeksionit. Bëhet fjalë për shtyrjen me një javë të hapjes së transportit publik.
Ndërsa një rikthim i mundshëm karantine, nuk është në llogari.
“Siç jeni në dijeni, javën e fundit ka patur rritje të numrit të të infektuarve në vend dhe për të analizuar situatën epidemiologjike është mbledhur sot Komiteti Teknik i Ekspertëve.
Ne vlerësojmë se kjo rritje e numrit ka ardhur si pasojë e uljes së vigjilences, shkujdesjes dhe mos respektimit të rregullave të distancimit fizik në aktivitetet e jetës së përditshme.
Gjithsesi, pas shqyrtimit të të gjithë treguesve në rastet e reja ditore, situtën në spitale dhe pacientët në terapi intensive, Komiteti Teknik vlerëson se situata mbetet e kontrolluar.
Sa më sipër, kemi vendosur të mos ketë hapa prapa në strategjinë e rihapjes, por për më shumë siguri, në kushtet aktuale, kemi vendosur të shtyhet për të paktën një javë hapja e transportit publik, si një shërbim me risk të lartë në këtë situatë epidemiologjike”, tha Rakacolli.
Më tej, ajo zgjodhi të apelojë:
“Ecja përpara është në dorën tonë, ndaj nuk mundet të sfidojmë rregullat, duhet vetëm t’i zbatojmë ato, të ruajmë njëri- tjerin, të moshuarit, të ruajmë distancimin fizik, higjenën personale, të përdorim maskat apo barrierat mbrojtëse në vendet e mbyllura, aty ku nuk mund të sigurohet distancimi fizik si dhe një apel për të gjithë aktivitetet e biznesit, të zbatojnë protokollet sipas nivelit të riskut.
Ne do të vijojmë monitorimin e situatës, dhe gjithashtu do vijojmë punën intensivisht nëpërmjet inspektorëve të Task-Forcës kundër COVID19, për të siguruar zbatimin e plotë të rregullave dhe protokolleve të sigurisë, por nevojitet akoma me shumë përgjegjësi për të mirën e përbashkët. Të vijojmë të kemi të njëjtën përgjegjësi si në fazën e parë, në mënyrë që edhe këtë fazë, ta kalojmë po me aq sukses”, tha Rakacolli. /tesheshi
Diskutime rreth kësaj post