Dega e OBSH në Tiranë duket se nuk ka asnjë dallim nga OBSH qendrore. Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, çdo ditë paralajmëron se mund të kemi valë të dytë nga koronavirusi, ndërsa në të njëjtën linjë duket se është edhe kreu i OBSH në Tiranë.
Përfaqësuesja e OBSH në vendin tonë, Bettina Menne e ka parë me shqetësim rritjen e numrit të të infektuarve në vend. Gjatë një interviste, Menne u shpreh se masat e ndërmarra në fillim të pandemisë ishin pozitive, por mosrespektimi i tyre mund të rikthejë karantinën.
Në të njëjtën linjë me kreun e OSBH edhe Menne mendon se një rikthim i dytë i karantinës është i mundshëm. Këto deklarata të OBSH janë kritikuar nga shumë studiues dhe nga opinioni publik, e sidomos nga ekspertët e ekonomisë, pasi rikthimi i karantinës do i jepte një goditje të fortë ekonomisë globale. Ndërkohë Menne gjatë intervistës u shpreh se transporti të mos kthehet nëse nuk arrihet mbajtja e distancës prej 1.5 metër.
“Jam shumë e lumtur që vendi juaj është hapur sërish, por epidemia nuk ka mbaruar dhe ajo që ne shohim është rritje e rasteve, që do të thotë se të afërmit tuaj mund të infektohen. Ne rekomandojmë që i gjithë stafi që punon në spital dhe mund të ketë kontakt me persona të infektuar, duhet të vendosë maskë, dhe po ashtu në transport publik si dhe në bare e restorante që nuk ka 1.5 metër distancë fizike, përndryshe do ju duhet ta mbyllni edhe njëherë vendin. Por a e imagjinoni dot? Vendi duhet të zhvillohet, ekonomia po ashtu, është përgjegjësi sociale e të gjithëve. Autoritetet dhe kompanitë të shmangin infektimin që të mos bëhet më mbyllje dhe marrje masash strikte dhe njëherë”, është shprehur Menne gjatë një interviste.
Kryetarja e OBSH në Tiranë, ka qenë kritike dhe ndaj protestave që janë mbajtur në Tiranë, pasi sipas saj janë kthyer në rrezik për rritjen e numrit të të infektuarve. Sipas saj përveç protestave të organizuara në Tiranë, tashmë po vihen re edhe grumbullime nga vetë njerëzit në bare dhe restorante.
“Grumbullime masive nuk kemi, vetëm se u bë një manifestim, grumbullime fizike. Ti shikon në çdo vend të madh në Tiranë, shikon në bare dhe restorante ku distanca fizike nuk respektohet. Duhet të bëhet shumë kujdes në transportin publik, në respektimin e rregullave. E di që hapja e tij është një lajm i mrekullueshëm, por kjo do të varet nga çdo qytetar që do të përdorë transportin publik, por edhe nga kompanitë qe kanë autobusët, pasi duhet të bëjnë dezinfektimin”, ka deklaruar Menne.
Diskutime rreth kësaj post