Deputetja dhe bashkëkryetarja e reformës zgjedhore, Rudina Hajdari ka dhënë një deklaratë për mediat përpara hyrjes në takim me opozitën parlamentare dhe kryeministrin Rama, një takim i kërkuar nga opozita parlamentare.
Hajdari ishte mjaft e ashpër në deklaratën e saj përpara mbledhjes, teksa foli me “gjuhën e amerikanëve”, thënë kështu pasi përdori të njëjtën fjali si ambasadorja amerikane Yuri Kim, e cila tha se topi është në fushën e Bashës, ndërkohë që Hajdari deklaroi të kundërtën duke thënë se topi është në fushën e Ramës. Sakaq Hajdari ka deklaruar se deputetët janë duke u shantazhuar për të votuar Kodin e ri Zgjedhor. Sakaq ajo ka shtuar se ky është shansi për PS-në që të mbajë premtimin duke ndryshuar sistemin zgjedhor e jo duke shantazhuar deputetët për të votuar reformën zgjedhore.
“PS ka premtuar se pas marrëveshjes do të ishte gati të bashkëpunonte për të folur mbi ndryshimin e sistemit zgjedhor. Kemi ardhur këtu sepse bëmë një kërkesë për sa i përket ndryshimit të sistemit. Ajo marrëveshje ishte për të ndihmuar shokun e zotit Edi Rama, Lulzim Bashën për t’u rikthyer në sistem dhe ne e bëmë detyrën tonë. Ia dhamë këtë mundësi Bashës për të ardhur për t’u ribashkuar dhe për t’u rifutur në sistem. Por ne kemi kërkesat tona sepse e kemi thënë se ndryshimi i sistemit është e vetmja rrugë për t’i dhënë shans shqiptarëve për të votuar jo vetëm për sigla partie, por edhe kandidatë të cilët e meritojnë për t’u futur në Parlament”, – ka deklaruar Hajdari.
Më tej deputetja u shpreh se pa hapjen e listave reforma nuk mund të konsiderohet e përmbyllur, duke qenë kësisoj në unison me opozitën parlamentare.
“Pa hapjen e listave nuk kemi asgjë në rregull. Sot kemi ardhur të shikojmë nëse Edi Rama e ka të vërtetë këtë gjë apo jo apo do ta marrë edhe ai topin e do ta fshehë e nuk do ta japi premtimin që ka dhënë. Ne e mbyllëm detyrën tonë e nënshkruam atë marrëveshje, tani topi është në dorën e Edi Ramës për të thënë do ta bëjmë ndryshimin e sistemit apo jo. Nuk mund të votojmë një reformë zgjedhor me vota të blera, sepse rikthimi i partive të ngelura jashtë është konfirmim që nuk do të kemi më as kriza dhe as mundësi për të bojkotuar zgjedhjet. Ky është shansi për PS që të mbajë premtimin e të ecim përpara duke ndryshuar sistemin zgjedhor e jo duke marrë deputetë e shantazhuar deputetë për të votuar atë reformë. Ka thënë se do e shikojë çështjen e ndryshimit të sistemit pas marrëveshjes”, – është shprehur Hajdari.
Diskutime rreth kësaj post