Deputeti i opozitës Halit Valteri thotë se topi nuk është në fushën e Lulzim Bashës sikur deklaroi ambasadorja amerikane, por opozitës në Kuvend për reformën zgjedhore. Valteri tha gjithashtu se në shtator do të jetë gati lëvizja e re politike e dalë nga grupi Demokrat në Kuvend që drejtohet nga Myslim Murrizi.
Por cilët do të jenë figurat që do të afrohen?
Valteri u shpreh se janë kontaktuar dhe ftuar të gjithë ata ish-drejtues degësh që Lulzim Basha i largoi.
“Ajo është një lëvizje demokratësh të vërtetë. Njerëz që e duan të djathtën, jo të lidhur me pazare, kanë peshë, janë ish-drejtues të PD-së në rrethe. Janë kontaktuar të gjithë ata kryetar partie që u hoqën në mesnatë nga Basha. Ftesa është bërë ‘hajde të punojmë të gjithë bashkë’. Grupi jonë përbëhet nga 11 deputetë, janë të gjithë ish-funksionar të PD-së.
Shpresoj që të jemi mirë, me Zotin para, në shtator lëvizja do të lancohet për publikun, për ata njerëz që duan një klasë të re politike. Ne jemi të djathtë, dhe do të kërkojmë një parti të djathtë, ne kemi vetëm një standard, të jesh i djathtë, me të kaluar jo kriminale dhe mos kesh qenë ish-sigurims. Edi Ramën e mban në pushtet Lulzim Basha me marrëveshjen e 17 majit. PD-ja po ndjek një program më të majtë se PS-ja. Ne do të bazohemi te besimi në Zot, familje dhe pronë” tha deputeti.
Diskutime rreth kësaj post