Ish-kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu duke komentuar situatën politike në vend u shpreh se kryeministri Edi Rama duhet të qeverisë mandatin e tretë së bashku me kreun demokrat Lulzim Basha. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai tha se cilido që të jetë rezultati i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, sërish sipas tij do të zgjatet jeta e treshes Rama-Meta-Basha.
“Koalicionet janë të detyrueshme në bazë të kalimit të pragut 71 deputetë. Partia Demokratike ka 30 deputetë më pak se Partia Socialiste në zgjedhjet e fundit. Rezultat tejet i thellë për t’u tejkaluar. Nga ana tjetër Rama në mandatin e tretë e ka të vështirë të mbajë timonin vetëm sepse është tejet i konsumuar 8 vite. Ai mund të dalë i pari në zgjedhje, por me një rezultat nën 50%.
Marrëveshja e re Rama-Basha për të mos ndryshuar sistemin zgjedhor, nuk do lejojë futjen e partive të reja në Kuvend. Me pak fjalë Rama dhe Basha po tentojnë të çimentojnë të dy pushtetin politik edhe 20 vjet të tjera. Në këto kushte, shpresa e vetme për revolucion është që ata të qeverisin së bashku dhe pastaj populli t’i largojë me shqelma. Mos u habisni nga kjo ide. Kjo është mënyra e vetme që Shqipëria të thyejë establishmentin shekullor. Çdo rezultat zgjedhjesh do i zgjaste jetën treshes Rama-Meta-Basha”, – tha Spahiu.
Më tej mes ironisë ish-kreu i Aleancës Kuq e Zi shtoi se një qeveri e përbashkët Rama-Basha do të zgjidhte disa probleme.
“Qeveria e përbashkët Basha-Rama do zgjidhte disa probleme: Do bashkojë dy forca politike të cilat ishin pjella të Partisë Komuniste, me dy sekretarë partie të emëruar nga Ramiz Alia: Berisha dhe Nano; Do legalizojë një martesë të fshehtë si kjo e viteve të fundit Basha-Rama; Do qetësojë militantët kokëpalarë që si tifozët e Tiranës dhe Partizanit bëjnë sherr edhe kur ndeshja është shitur nga dy ekipet; Do bashkojë dy parti që s’kanë asnjë dallim programor apo ideologjik.
Në fund ka një deduksion politik: Shqipëria ka nevojë për alternativa dhe faktorë të tjerë politikë. PS-PD e mbajnë me dhunë sistemin e votimit dhe numërimit. Tregu politik kontrollohet nga një oligarki, por e ndarë në tre parti. Kanë ndarë rolet dhe kanë bllokuar edhe llogoren e opozitës duke sabotuar çdo kauzë që lind nga populli”, – tha Spahiu.
Diskutime rreth kësaj post