Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, tha për “Ditari” në A2 se nuk do të ketë koalicion me Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme, kur iu vunë në dukje deklaratat e kryeministrit, i cili nuk e përjashtoi mundësinë e një koalicioni PS-LSI.
“Edi Rama është shumë problematik, gjithmonë kur është keq flet për koalicione. Dy vjet iu lut Lulzim Bashës, nuk la njeri pa i çuar në zyrë, madje edhe rojen e pallatit ia ka kapur për ta pyetur se kur vjen në shtëpi.
Nuk arriti ta përçajë dot opozitën dhe tani ka nisur të hedhë letra dashurie për presidentin. Le të bëjë çfarë të dojë institucionalisht me presindetin, por për një gjë të jeni të bindur: LSI nuk bën koalicion me asnjë individ dhe parti që është e lidhur me krimin e organizuar”, – deklaroi Kryemadhi.
Në lidhje me atë që do të bënte LSI-ja po të merrte pushtetin, Kryemadhi theksoi: “Nëse do të ishim sot në qeveri, gjëja e parë që do të bënim do të ishte testimi masiv i shqiptarëve për të shkatërruar atë ndjenjë paniku që ka shkaktuar qeveria. Do të bllokonim menjëherë koncesionet dhe do të bënim rishpërndarje të zërave të buxhetit për të ndihmuar biznesin e vogël dhe të mesëm”.
Diskutime rreth kësaj post