Lëvizja Socialiste për Integrim iu është rikthyer dje sulmeve dhe akuzave në adresë të ndërkombëtarëve. Teksa ishte duke folur për mediat, pas takimit me kryedemokratin Lulzim Basha në selinë blu, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e ndali theksin tek reforma zgjedhore, ndërsa shpjegoi përbërjen e Këshillit Politik.
Por në fjalë e sipër, Kryemadhi u kujdes t’iu tërhiqet vëmendje ambasadorëve të huaj të atashuar në vendin tonë, për të cilët theksoi se në shumë raste kanë keqinformuar qytetarët shqiptarë dhe kanë bërë sipas saj, mjaft gafa politike.
“Nesër nuk është Këshilli Politik, as tryeza, por grupi i punës, Këshilli Politik përbëhet nga 10 veta, 5 opozita jashtë, 5 Parlamenti dhe ky këshill ka një grup prej 4 vetash, të cilët bëjnë përgatitjen e materialeve dhe axhendës. Këshilli politik është i përbërë nga 10 veta. Pra, duhet ta kuptojmë këtë dhe ta sqarojmë, pasi duhen sqaruar edhe ambasadorët pastaj se e ngatërrojnë dhe keqinformojnë qytetarët shqiptarë, duke bërë gafa politike dhe dhënë informacion të gabuar, por edhe mediat dhe socialistët. Kështu që, nesër është takimi i radhës për t’u përgatitur për të ecur me punët që janë lënë në harresë dhe mbyllur sa më shpejt. Reforma zgjedhore, është një nga 15 kushtet, që duhet në mënyrë urgjente të mbarojë, pasi çon vendin drejt një zgjidhje, që janë zgjedhjet e reja, që të dalim sa më shpejt nga kjo situatë”, – deklaroi ajo.
Më tej, zonja Kryemadhi akuzoi kryeministrin Edi Rama se hodhi idenë e legalizimit të kanabisit mjekësor për të larguar vëmendjen nga kriza ekonomike, ndërsa paralajmëroi se shumë shpejt Shqipëria do të përballet me një krizë urie.
“Si gjithmonë Edi Rama është kryemashtruesi qesharak, vendosi në një pozitë të vështirë ambasadorin e BE-së, e prezantoi nismën në zyrat e delegacionit sikur e kishte dakordësuar me ata. Po bëhet për të hequr vëmendjen nga varfëria, ligji legalizon grupet kriminale dhe për të shkatërruar ekonominë. Legalizimi i kanabisit është një nga shashkat e radhës të Ramës, nuk do që njerëzit të diskutojnë për ekonominë dhe varfërinë. Shqipëria është një nga vendet më të rrezikuara për sigurinë ushqimore, shumë shpejt shqiptarët nuk do të kenë ushqim për bukën e gojës për fëmijët e tyre”, – u shpreh ajo.
Ndërkohë, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi se opozita ka vendosur që të dalë në terren për të takuar qytetarët në çdo qytet.
Diskutime rreth kësaj post