Turqia ndihmon Shqipërinë në kuadër të luftimit të pandemisë së koronavirusit, duke dërguar ndihma mjekësore prej Gjysmëhënës së Kuqe për Kryqin e Kuq shqiptar.
Një avion ushtarak turk mbërriti në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë, ku u prit nga ambasadori i Turqisë në vendin tonë, Murat Ahmet Yörük, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë dhe drejtues të Kryqit të Kuq Shqiptar.
Në një prononcim për mediat, ambasadori Yörük tha se Republika e Turqisë edhe në këto situata të vështira e vlerëson si shumë të çmuar dhe shumë të rëndësishme këtë solidaritet të gjithanshëm dhe mbështetjen humanitare, shkruan “Anadoly Agency”.
“Që nga momenti që kjo epidemi u shndërrua në pandemi, ne si Turqi brenda mundësive tona jemi përpjekur të gjendemi me gjithë fuqinë pranë shteteve, popujve të tjerë. Turqia ka ofruar ndihma humanitare në 5 kontinente, në më shumë se 60 vende.”
Ai tha se këto ndihma nuk janë të parat të këtij lloj, por janë të tretat që vijnë në Shqipëri, ndërsa theksoi më tej se në ditët e para të fillimit të kësaj pandemie, presidenti Erdogan mori një vendim që të lejohet eksportimi i mallrave shëndetësore, duke ofruar 8 tonë materiale shëndetësore për Shqipërinë.
“Më pas ndihma e Turqisë për Shqipërinë vijoi me ofrimin e 6 ambulancave të mirëkompletuara, përfshirë këtu edhe respiratorët dhe këto ambulanca iu dhuruan Forcave të Armatosura të Shqipërisë, nëpërmjet Forcave të Armatosura Turke dhe Ministrisë sonë të Shëndetësisë. Materialet e sjella sot janë 1.5 tonë materiale mbrojtëse, që do të përdoren në shërbim të popullit shqiptar”, tha ambasadori i Turqisë në Tiranë.
Diskutime rreth kësaj post